DURRES - Turizëm i sigurt dhe i shëndetshëm, kjo ka qenë tema e takimit që është zhvilluar në bashkëpunim midis Ministrisë së Turizmit dhe Shëndetësisë në Durrës për konsultimet e sezonit të ardhshëm turistik.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të gjerë të sektorit të turizmit, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, sipërmarrjes private në hoteleri turizëm si dhe drejtues të shëndetësisë në nivel lokal. 

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni në fjalën e saj tha se është për tu vlerësuar fakti që po mblidhemi në këtë periudhë për sezonin që fillon pas disa muajsh, por ne duhet të tentojmë që krahas rritjes së cilësisë së turizmit, ta shtrijmë kohëzgjatjen tij mundësisht për gjatë gjithë vitit. 

“Të mundohen për vitin tjetër masa qoftë për sezonin turistik, qoftë në përgjithësi për shërbimet turistike, të jenë të një standarti dhe të një cilësie sa më të mirë.” tha Gjermeni

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i pranishëm në këtë takim u shpreh se kemi një favor për këtë vit se buxheti do të miratohet pas dy javësh dhe gjatë muajit dhjetor do të bëhet shpërndarja e detajuar e fondeve. 

Beqaj ka bërë të ditur se deri në 1 maj të vitit të ardhshëm do të jenë gati të gjitha qendrat shëndetësore përgjatë plazheve, stafi, pajisjet, mjetet, barnat dhe çdo gjë që duhet për stafin mjekësor.

"Nëse fillojmë që sot një bashkëbisedim të frytshëm, unë besoj se brenda fundit të vitit, ne si shëndetësi do të kemi një plan shumë të qartë, sa para na duhen? Ku na duhen? Çfarë protokollësh duhet të kemi kemi për këtë pjesë të Shërbimit shëndetësor." tha Beqaj

Gjatë vitit të ardhshëm Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar hapjen e 15-16 qendra shëndetësore shtesë që do të jenë të përkohshme poër sezonin turistik si dhe blerjen e 20 ambulancave të reja për këtë qëllim.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)