DURRES- Një histori grabitjeje që mund të përfundonte tragjikisht është shënuar mbrëmjen e së hënës në qytetin bregdetar të Durrësit. Rreth orës 22: 00  një çift nga Burreli ka lënë fëmijën e vogël, e seksit mashkull, një muajsh në makinë për pak minuta, kohë që i duhej për të blerë diçka në një nga dyqanet që ndodhen në sektorin “Iliria” në zonën e plazhit.
Hajduti i makinave, (nuk dihet një apo më shumë) duket se ka ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të çiftit dhe në momentin kur ka parë se ato janë larguar duke lënë të hapur makinën, ka hipur në makinë dhe është larguar në drejtim të paditur.

FEMIJA U GJET NE LAPRAKE
Menjeherë çifti i ri, me mbiemrin Mellani, nga qyteti i Burrelit, por me banim në Tiranë njoftuan policinë për ngjarjen. Policia e Durrësit është vënë në alarm duke kërkuar bashkëpunim e policisë e Kavajës, Krujës dhe Tiranës.Pas afro 50 minutave falë një pune intensive nga forcat e policisë së shtetit, foshnja e seksit mashkull është gjetur në gjendje shumë të mirë e braktisur në lagjen Laprakë në Tiranë. Foshnja është dërguar në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" të Tiranës dhe është shëndosh e mirë. Mendohet se kalimtarët e rastit kanë parë fëmijën në rrugë dhe mund të kenë njoftuar policinë.

HAJDUTET BRAKTISIN MAKINEN NE LAÇ
Nga të dhënat e para të policisë mendohet se grabitësit me makinë fillimisht kanë marrë drejtimin nga Tirana. Kur kanë parë se në sedijen e pasme ndodhej fëmija i vogël, janë ndalur në Laprakë kanë braktisur fëmijën, dhe më pas janë nisur në drejtim të Kamzës për të marrë rrugën drejt Laçit, ku dhe është gjetur makina e braktisur, një autoveturë me targa polake KR353RL.

ÇIFTI U LARGUA TE SHIHTE NJE FRIGORIFER
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të orës 10:00 policia thotë se çifti në makinë ishin së bashku me djalin dhe vjehrrën e tyre në lagjen Nr.13 Plazh Durrës, Sektori Iliria. Rreth orës 22:00 ata kanë dhe shkuar në një dyqan rreth 10 m larg automjetit në të cilin kanë lënë fëmijën e tyre 1 muajsh (për të parë për një frigorifer). Në këtë moment, një person i paidentifikuar eshte futur ne automjetin i cili ka qene i ndezur dhe eshte larguar ne drejtim te Ures së Dajlanit. Në orën 23.30 u bë e mundur gjetja e fëmijës E.M, i cili ishte braktisur në Laprakë Tiranë, në afërsi të një karburanti. Fëmija u dërgua menjëherë pranë Spitalit të Femijeve, ku iu nënshtrua një ekzaminimi të përgjithshëm nga i cili rezultoi se gëzonte shëndet të plotë. Pas njohjes, fëmija iu dorëzua prindërve të tij. Si rezultat i kontrolleve te ushtruara dhe krehjes se territorit ne bashkepunim edhe me Komisariatin e Policise Laç, u be e mundur qe automjeti i vjedhur me targa KR 535 RL te gjendej i braktisur ne Milot Lac.

DURRESI PARAJSA E HAJDUTËVE
Me ardhjen e sezonit turistik, shtimit të fluksit të turistëve dhe pushuesve, shtohet dhe numri i hajdutëve që vijnë nga qytete të ndryshme. Ata shfrytëzojnë pakujdesinë e turistëve për të grabitur makina, shtëpitë e tyre, apo dhe çadrat. Policia nga ana e saj merr masa për të përforcuar sigurinë dhe rendin, por i bën apel turistëve dhe pushuesve të bëjnë kujdes.
db/sg/shqiptarja.com