DURRËS- Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Odise Verbofshin, autor i vrasjes dhe më pas djegies së dy të rinjve në Shkozet të Durrësit natën e së premtes (21 shkurt).
 
Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Gazep Pili gjykata ka dhënë masën “detyrim paraqitje” pasi sipas akuzës nuk ka prova që implikojnë në krimin e dyfisht.
 
Nga kafazi i hekurt, në mungesë edhe të një avokati mbrojtës, Odise Verbofshi ka rrëfyer se, “pranoj krimin, kërkoj falje publike për atë që kam bërë.”

Ai është shprehur se krimin e ka kryer me vetëdije të plotë.
 
“Jam i vetëdijshëm për atë që kam bërë”, ka treguar 32-vjeçari nga Durrësi para trupit gjukues së Gjykatës së Durrësit.

Odise Verbofshi u arrestua në tentativë për t’u larguar jashtë Shqipërisë, pasi kreu vrasjen e dyfishtë të dy djemve të rinj nga Fushë-Kruja, Shaban Babasit, 27 vjeç dhe Albert Kasallës, 32 vjeç për konflikte droge.
 
32-vjeçai vrau dy të rinjtë në një banesë në Shkozet dhe më pas, në bashkëpunim me Gazep Pilin i transportuan me makinë në zonën e Ish-Kënetës, ku dhe u dogjen brenda në makinë.

Krimi makabër u regjistrua mbrëmjen e 21 shkurtit. 

odise verbofshi
(Në foto: Odise Verbofshi sot (24.02.2014) në gjykatën e Durrësit)

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)