Një varrezë e periudhës mesjetare është zbuluar në Forumin Bizantin të qytetit të Durrësit. Dokumentimi i kësaj varreze që përkon në këtë periudhë, zgjeron më tej informacionet, pasi sipas Brikena Shkodrës, deri më tani, ka të dhëna sporadike.
“Sërish këtë vit fokusohemi në mbledhjen e informacioneve të mëtejshme për të njohur historinë e funksionimit dhe transforrmimit të forumit rrethor. Është struktura më e rëndësishme e qytetit gjatë antikitetit të vonë, sepse është qendra publike e qytetit në këtë moment historik (shekulli VI)”,- thotë arkeologia Shkodra.
Tashmë prej më se një jave, Brikena Shkodra së bashku me grupin e ekspeditës, kanë nisur gërmimet në këtë forum për të disatin vit radhazi, me shpresën se ende ka të dhëna të cilat do të plotësojnë dhe faktojnë historinë e një qytetërimi të lashtë.
“Jemi pothuajse 70 cm nën nivelin aktual të përdorimit të qytetit dhe kemi hasur në gjurmët e varrezës. Bëhet fjalë për një varrezë të periudhës mesjetare. Nuk e përcakktojmë dot saktësisht momentin kronologjik se kur në mesjetë por është një e dhënë shumë e rëndësishme sepse dokumentimin e periudhës së varrezës mesjetare të qytetit e kemi me të dhëna tepër sporadike”,- thotë arkeologia që drejton ekspeditën.
Forumi Bizantin i Durrësit, i vendosur pranë Teatrit Aleksandër Moisiu, është një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe arkeologjike të Shqipërisë. Ky sit përfaqëson një pjesë të trashëgimisë së pasur bizantine të qytetit, e cila ka nxjerrë në dritë një mori zbulimesh gjatë viteve, që dëshmojnë për një të kaluar të pasur kulturore dhe historike.
Ekspedita e re synon të zgjerojë më tej njohuritë mbi këtë sit dhe të zbulojë artefakte të tjera që mund të jenë ende të fshehura. Drejtuesja e ekspedites thekson rëndësinë e mbrojtjes së këtij thesari arkeologjik dhe të vazhdimit të bashkëpunimit me arkeologë të huaj për të siguruar që këto zbulime të trajtohen me kujdes dhe profesionalizëm.