DURRËS - Një apartament në katin e 9-të të pallatit shumëkatësh "Kamelia", u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme.

Paraprakisht dyshohet se shkak i flakëve të ketë qenë një defekt në kabinën elektrike, e cila ka bërë masë.

Gjashtë persona janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit.

Fatmirësisht ata janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa zjarri është shuar tashmë nga forcat zjarrfikëse.

Njoftimi i Policisë:

Durrës / Informacion paraprak-Rreth orës 20:30, në katin e 9-të të një pallati, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ka rënë zjarr në një apartament në pronësi të shtetasit E. Sh.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të MZSH-së.

Zjarri është shuar dhe situata është vënë nën kontroll.

Sipas të dhënave paraprake, 6 shtetas janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit. Ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.