DURRES - Për kryeministrin Edi Rama gjatë këtyre 20 viteve vendi ynë ka pasur një zhvillim të paqëndrueshëm, çka ka sjellë sipas tij pasoja të rënda në pasuritë natyrore. Megjithatë sipas tij vendosja e një rendi të ri investimesh do të japë rezultate konkrete, duke mos lejuar më që investimet të jenë pjesë e zhvillimit të paqëndrueshëm.

Deklaratat kryeministri shqiptar i bëri nga Durrësi ku mori pjesë në konferencën “Smart City”. Duke folur rreth investimeve të kryera në të gjithë vendin, Rama  tha se paqëndrueshmëria e tyre në këto vite ka sjellë pasoja të rënda në pasuritë natyrore veçanërisht në ekosistem. Sipas shefit të qeverisë, pasoja katastrofike ka pasur edhe në dëmet e shkaktuara në shtretërit e lumenjve.

Por shefi i qeverisë, shprehu besimin se vendi është ende në kohë për të frenuar rrënimin e që ka ndodhur deri më tani në ekosistem.

“Ajo që na ka ndodhur në këtë hark 20 vjeçar ka qenë e kundërta. Kemi pasur zhvillim padyshim , por zhvillimi ka qenë i karakterizuar nga një paqëndrueshmëri, pasoja  që sot ndihen  gjithmonë  e më tepër posaçërisht në të gjitha burimet natyrore, sepse nëse një nga burimet më të mëdha të rritjes në 20 vite ka qenë ndërtimi dhe nëse përmes këtij burimi rritje ka përfituar ekonomia e ditës dhe ka përfituar familja shqiptare në tërësi sepse sot shqiptarët kanë shumë më tepër metra katrorë në dispozicion për të jetuar apo për të zhvilluar aktivitet të natyrave të ndryshme, po të shohim koston e shfrytëzimit të këtij burimi rritjeje jemi përpara një panorama jashtëzakonisht tronditëse. Sa shumë pyje kemi humbur, sa shumë territore tokash bujqësore shumë të vlefshme kemi humbur, sa shumë kemi humbur në peizazhin tonë si një nga burimet e rëndësishme të rritjes së qëndrueshme në vetvete dhe sa shumë kemi humbur në të gjithë ekosistemin e vendit tonë. Mjafton ti hedhim një sy demit që është shkaktuar në shtretërit  e lumenjve dhe gërryerjes që i është bërë shtretërve te lumenjve për pasojë pastaj ndikimin në një proces eroziv që e shohim  shfaqet gjithmonë e  më tepër të shfaqet në formën  e përmbytjeve , rrëshqitjeve e kështu me radhë për të kuptuar se kemi humbur jo vetëm kohë, por kemi humbur dhe një pjese të rëndësishme të këtij potenciali të madh. Por njëkohësisht jemi në kohë për të mos lejuar rrëshqitjen e mëtejshme në një rrugë të zhvillimit të paqëndrueshme dhe për ti dhënë qëndrueshmëri zhvillimit.” theksoi kryeministri Rama

rama durres

Rama: Rend i ri investimesh për të frenuar rrënimin
Kjo sipas kryeministrit Rama mund të kryehet përmes vendsojes së një rendi të ri të investimeve, të cilat do të mund të japin rezultate konkrete, dhe siç nënvizoi ai do të mund të frenojnë rrënimin e mëtejshëm të ekosistemit.

Për të përmirësuar këtë situatë, Rama tha se në vitin e ardshëm janë planifikuar investime më të madhin ndonjëherë për sistemet inteligjente dhe inovacionin. Sipas tij, nisma e qeverisë për të përmirësuar qytetet ka nisur por që në vitin e ardhshëm do të intensifikohet edhe më tej.

"Sigurisht që jemi me fat që jetojmë në një moment të historisë së zhvillimit njerëzor ku të gjithë hendeqet e mëdha të trashëguara nga e shkuara mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim , mund të ngushtohen me shumë më tepër shpejtësi se më parë falë inovacionit, falë sistemeve inteligjente. E kjo është arsyeja pse në projektin e financimeve për vitin e ardhshëm ne kemi përcaktuar volumin më të madhe të bërë ndonjëherë të financimit për sistemet inteligjente dhe inovacionin, duke  e konsideruar këtë pjesë si pjesë të investimit në infrastrukturën në tërësi. Në se kemi një domosdoshmëri të madhe dhe një volum të madh të të ardhurave , ne i drejtojmë tek infrastruktura e jetës së përditshme që na mundëson lëvizjen , komunikim, ndërveprimin fizik, zëri I infrastrukturës dixhitale do të jetë çdo vit e më i fuqishëm, ndër zërat e investimeve tona publike. Nga ana tjetër besoj se përmirësimi i qyteteve që është një proces që ka nisur këtë vit dhe do të intensifikohet më shumë vitin e ardhshëm dhe vitet që vijnë është një rrugë e sigurt për ti dhënë qëndrueshmëri dhe kohezion zhvillimit në kushtet kur hë për he kemi trashëguar një sistem si një rrjet të prishur merimange në aspektin e inve3stimeve publike në infrastrukturë dhe në ndërlidhjen e zonave të ndryshme urbane dhe zonave të ndryshme të banimit dhe në lëvizshmërinë në tërësi në territorin e Republikës sonë. Rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri përparësish në ndërtimin e kësaj rrjete investimesh , jam i bindur se do të na sjellë rezultate të dukshme” tha shefi i qeverisë.

Rama: Të parët për të miratuar ligje por jo pë t'i zbatuar, kjo është sfida jonë
Sipas kryeministrit deri më tani janë miratuar ligje me vetëdijen se nuk do të zbatohen, dhe pikërisht kjo është sfida më e madhe e qeverisë, zbatueshmëria e ligjit.

“Për numër konferencash, për numër strategjish, për numër ligjesh, për numër platformash, për numër forumesh, për numër seminaresh, ëorkshop-esh e ku e di unë, ne sigurisht lëmë pas një numër të konsiderueshëm vendesh të Bashkimit Europian. Padyshim, në këtë aspekt jemi përpara Gjermanisë. Nuk janë ligjet që sigurisht do ti bëjmë sepse na i kërkojnë edhe ne Bruksel por është zbatueshmëria e tyre dhe është procesi i ndërveprimit që është sfida jone e madhe” u shpreh kryeministri

gaiani

Gaiani: Qytetet shqiptare deri tani pa plan urban
Në fjalën e tij Ambasadori Giaiani, tha se përpjekja për krijimin e qyteteve inteligjente përbën një sfidë që lidhet sa me zhvillimin, aq edhe me zgjidhjen e problematikave nga më të ndryshmet ekonomike e sociale. Planifikimi urban, theksoi ai, do të mund të çojë drejt një zhvillimi më të strukturuar dhe efikas.

Sipas tij problemi më madhor për qytetet shqiptare deri më tani ka qenë mungesa e një plani të mirëfilltë urba, por shtoi se ka parë sinjale pozitive për një ndryshim të mundshëm të kësaj tendence me qeverinë aktuale.

“Besoj se kjo është një ndryshim hapi, një ndryshim kulture që dëshmon interesin e qeverisë së re për këto tematika. Nuk ka asnjë dyshim që qytetet përveçse kanë qenë djepi i qytetërimeve tona do të jenë edhe ato ku do të luhet edhe sfida e zhvillimit. Shqipëria ka një avantazh kur flitet për mbështetje sepse ka një prodhim komplet të pastër të energjisë, por besoj se edhe Shqipëria nuk ka imunitet nga problemet. Pika e parë me të cilën duhet të përballemi është ajo e të shkuarit drejt një eficence më të madhe në përdorimin e energjisë në këtë pikë qytetet shqiptare mund të bëjnë hapa përpara shumë të forta. Pika qendrore e të gjithë çështjes mendoj se është planifikimi urban që ka munguar totalisht në Shqipëri në vitet e fundit dhe që mund të sjellë një zhvillim më të rregullt dhe me efiçent. Jam i bindur që është një temë që ka vëmendjen e qeverisë që po i dedikon një vëmendje të veçantë. Do jetë e mundur gjithashtu të përdoren fondet europiane dhe besoj se këtu do të luhet e ardhmja e Shqipërisë. “ tha Gaiani

gaiani

Cocco: Koha e përshtatshme për të luftuar për zhvillimin e qëndrueshëm inteligjent
Sekretari i Përgjithshëm i Euro rajonit Adriatiko –Jonik, Francesco Cocco, i pranishëm në forum, u shpreh se për Shqipërinë, e cila këtë vit ka përfituar edhe statusin i vendit kandidat  për në BE, është momenti më i përshtatshëm për të luftuar për zhvillimin e qëndrueshëm inteligjent.

Dako: Projekte konkrete inteligjente për Durrësin
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, solli eksperiencën mbi të cilën po planifikohen projektet e reja për rikualifikimin e hapësirave urbane. Ai theksoi se këto projekte janë produkt i një analize të mirë detajuar për të shfrytëzuar maksimalisht hapësirat publike.

“Qytetet janë tërësisht të lidhura me njerëzit, hapësirat publike ku shkojnë ata, ku takohen , janë çështje që e bëjnë qytetin, atë që është. Edhe sot ndryshimet më transformuese në këto qytete janë duke ndodhur në këto hapësira. Kështu besoj se hapësirat publike të jetuara janë çelësi i planifikimit të një qytetit të madh. Hapësirat publike janë trajtuar nga ne gjithmonë si pjesë për tu kuruar në mënyrë që të shfrytëzojmë energjinë e tyre maksimale, “ u shpreh Dako.

dako

Dako: Ja projektet që do transformojnë Durrësin
Dako foli konkretisht për projektet duke dhënë një panoramë të qartë të nismave të marra nga ana e Bashkisë së Durrësit që pritet të transformojnë dhe përmirësojnë qytetin bregdetar.

“Sot jemi duke realizuar shumë projekte te cilat i kemi në fazën e ndërtimit. Mund të përmend rikualifikimin e kalimit të plepave. Rikonstruksionin dhe rivënien ne jete te nënkalimit te rëndësishëm te ura e Dajlanit dhe sheshin qendror te qytetit. Në të gjitha projektet kemi kombinuar element teknikë të projektimit të qëndrueshëm, si gjelbërimin , gurët natyral, aftësia për tu ulur , modele të ndjekura në të gjitha qytetet moderne të Mesdheut. Në temën e lëvizjes së qëndrueshme kemi bërë rrugën e plazhit, me 7 km korsi biçikleta, e cila është e lidhur me rrugën e re që po ndërtojmë paralele me murin  e portit. Në temën e mbrojtjes së mjedisit kemi krijimin e parkut të gjelbër në zonën e ish kënetës, i cili në të ardhmen do të bëhet edhe mushkëria e qytetit të Durrësit. Në temën e informatizimit, prej disa kohësh gjithashtu bashkia është në proces informatizimit, i cili ul ndjeshëm burokracinë e ligjit shqiptar dhe afron qytetarët me institucionet e qeverisjes vendore.” tha Dako

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)