Durrës- Një 32-vjeçar u arrestua në Sukth, pasi shkaktoi aksident, me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur.
Sipas hetimeve Alfred Dumi rezulton ishte në kërkim, i dënuar me 2 vite burg.
Sipas hetimeve, në vitin 2022, ai kishte administruar një subjekt tregtar, përmes të cilit u lëshuan fatura fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Subjekti i tij, së bashku me 12 subjekte të tjera, i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 300 milionë lekësh të vjetra.
"Menjëherë pas njoftimit për një aksident rrugor, në Sukth, ku një automjet ishte përplasur me disa pemë, shërbimet e Policisë Rrugore shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet procedurale të nevojshme. Në vijim, iu bë test alkooli, drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 32 vjeç, rezultat i të cilit, herën e dyte ishte 1.29 mg/l.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 32-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, sepse Gjykata e Tiranës, në vitin 2024, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave të mashtrimit lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Në vitin 2022, ky shtetas ka administruar një subjekt, për llogari të të cilit janë lëshuar fatura fiktive, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Nga aksidenti u dëmtua lehtë, pasagjeri në automjetin që drejtonte 32-vjeçari. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. D. u vu në pranga dhe do t’i dorëzohet Policisë së Tiranës, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë.
Komente









