DURRËS- Një 44-vjeçar i dehur në timon është arrestuar nga Policia në zonën e ish-Kënetës në Durrës, vend në të cilin pak javë më parë u përplasën për vdekje 2 të mitur. Shoferi Rezart Abazaj ka qenë duke qarkulluar me një makinë pa targa dhe nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Ai ka vazhduar të qarkullojë me shpejtësi dhe në ndihmë të patrullës së Policisë kanë shkuar dhe 2 inspektorë me motorë. Pas një ndjekjeje për disa minuta, oficerët e qarkullimit rrugor kanë arritur ta bllokojnë makinën pa targa.

44-vjeçari në tentativë për të lëvizur mbrapsht është përplasur me makinën e policisë. Ai është vënë në pranga dhe është dërguar në komisariatin e Policisë së Durrësit, nga ku testi i alkoolit rezultoi 1,4 mg/l.