Analizat toksikologjike kanë rezultuar negative në lidhje me dyshimin për helmim ushqimi të dasmorëve të shtruar pak ditë më parë në spitalin e Durrësit.

Kryeinspektori e inspektoratit shëndetësor, Xhaneta Saliu deklaroi se shëndeti i dasmorëve nuk ka të bëjë me helmim të ushqimit.

Sipas saj, inspektorati shëndetësor dhe AKU-ja kanë kryer analizat toksikologjike të kampionëve të ushqimeve dhe ato kanë rezultuar negative.

Në këto kushte, pas bllokimit prej disa ditësh të lokalit pritet që restoranti të rifillojë aktivitetin e tij.

Pas daljes së analizave toksikologjike ka ardhur edhe reagimi i pronarit të lokalit në të cilin u zhvillua cermonia martesore.

Dhurim Kapo deklaron se ka mbetur i tronditur nga fakti që dasmorët mund të kishin pësuar helmim ushqimi.

Me garancinë e rezultateve të analizave toksikologjike, Kapo mendon se shkak për përkeqësimin e shëndetit të dasmorëve mund të ketë qenë kondicioneri, i cili ishte graduar disa gradë nën normalen.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë. Pas një dasme rreth 13 dasmorë  u shtruan në spitalin rajonal të Durrësit me diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com