DURRËS - Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ishte sot në Qendrën e Zhvillimit në Durrës, ku së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha, shpërndau dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara me rastin e festave të fundvitit.
 
Veliaj theksoi se krahasuar me një vit më parë, kjo qendër ka ndryshuar si nata me ditën, ndërkohë që sipas tij, qëllimi i reformës së re sociale që po harton MMSR është riaktivizimi fëmijëve në shoqëri.
 
Gjithashtu ai u shpreh se për herë të parë nga Fondi i Nxitjes së Punësimit ne punësuam disa dhjetëra persona me aftësi të kufizuara.
 
“Për herë të parë nga Fondi i Nxitjes së Punësimit ne punësuam disa dhjetëra persona me aftësi të kufizuara. Kjo është arsyeja pse vitin tjetër e kemi dyfishuar fondin, nga 2.7 mln dollarë në 4.5 mln dollarë, që të sigurohemi që më shumë kompani ndihmohen me financa nga shteti për të punësuar fëmijët tanë, ata që dalin nga qendra të tilla, të cilët janë me aftësi ndryshe, të veçanta”, u shpreh ministri Veliaj, në vijim të turit “Shqipëria Dhuron”.
 
Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje sipërmarrësve në Durrës që të hapin dyert e bizneseve të tyre për punësimin e sa më shumë personave me aftësi të veçanta. “Jam shumë krenar që në një vit të vështirë financiar, Shërbimi Social Shtetëror arriti të disiplinonte skemën më të shpartalluar të financave publike në Shqipëri, atë të ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Një njeri që është shëndoshë e mirë, i cili ka ngjitur dy postera dhe nuk punon, por kërkon ndihmë ekonomike, nuk ka vend në skemë”, tha ai.
 
Veliaj falënderoi prindërit e fëmijëve të Qendrës së Zhvillimit në Durrës dhe i vlerësoi ata si heronjtë e vërtetë, për gjithçka bëjnë për ta. Ndërkaq, po sot ministri Veliaj iu bashkua festës së fëmijëve në qendrën ditore për fëmijët në situatë rruge të organizatës ARSIS në Tiranë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)