Një minierë arkeologjike është zbulimi i fundit në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit. Mozaiku i ndërtuar me gurë të bardhë dhe blu, daton rreth fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II.

Teksa punohej për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” doli në dritë një pjesë mozaikut. Menjëherë filloi puna e arkeologëve për zbulimin e plotë të tij, ndërsa për momentin është pezulluar kantieri për ndërtimin e gjimnazit.

Mozaiku i përket një vile luksoze me nivele dyshemesh, sistem kanalizimesh dhe gjurmë banjash termale është ajo që është gjetur deri më tani.

Deri tani janë zbuluar disa pjesë të këtij mozaiku që mendohet të ketë një sipërfaqe rreth 60 metër katror. Përveç mozaikut është zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër e lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera. Punimet në këtë mozaik janë kryer me një nivel mjaft të lartë profesional.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:42
Zbulimi i mozaikut në Durrës, arkeologu për Report Tv: Në kohën e Italisë ka qenë ndërtuar një bunker

Arkelogu Luan Përzhita në një intervistë për Report Tv dhe Shqiptarja.com ka folur mbi zbulimin e rrallë arkeologjik në Durrës. Një tjetër mozaik iu shtua monumenteve unikale të Durrësit, ndërsa Arkelogu Përzhita deklaroi se “jemi në gjurmët e një mozaiku me cilësi të lartë, që mendohet se është prodhuar në fund të shekullit I dhe fillim të shek.II,  kohë që lidhet me ndërtimin e Amfiteatrit të Durrësit.

Intervista e plotë

Kjo tregon se këtë zonë kemi pasur vila luksoze me pamje nga deti, që tregon nivelin e lartë të jetesës që kishte Durrësi në kohën e Antikitetit. Kemi të bëjmë me një rezidencë private, që ka qenë luksoze. Kemi konstatuar që përveç mozaikut kemi edhe pjesë të tjera që presin të zbulohen dhe që kanë të bëjmë me kanalizimet, banjat termale, pra që do na tregojnë sistemin urbanistik të asaj kohe.

Nga ana historike mund të themi që ky territor është dëmtuar disa here. Pra vila mund të jetë ndërtuar në shekullin e I-rë, mendohet të jetë shembur nga tërmeti në shekullin e IV dhe me të njëjtat materiale është rindërtuar në shekullin e VI, por edhe ajo u dëmtua më vonë.

Në kohën e Italisë këtu ka qenë ndërtuar një bunker, e mandej u bë shkolla “Gjergj Kastrioti” që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Tashmë në 2023, teksa punohej për të rindërtuar shkollën e re me fondet e BE-së, gjatë gërmimeve në themele u gjet mozaiku i rrallë me gurë blu dhe të bardhë.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Durrës kanë ndërprere punën për ndërtimin e gjimnazit. Në ditët në vijim presim vendimin për të ndërmarrë një gërmim arkeologjik të mirëfilltë që ti kthejmë Durrësit këtë trashëgimi të fshehur në këtë thellësi, 7 metra në sipërfaqe”.