DW: Si do të pozicionohet Biden ndaj Polonisë dhe Putinit?

DW: Si do të pozicionohet Biden ndaj Polonisë dhe Putinit?

Joe Biden dhe Zelensky

Presidenti i SHBA-së mban të martën (21.02.) një fjalim të rëndësishëm në Poloni dhe mesazhi i tij do të jetë: mbështesni Ukrainën deri në fitore. Biden më parë zhvilloi një vizitë të papritur në Kiev.

Fjalimi që presidenti i SHBA-së, Joseph Biden do të mbajë pasditen e së martës, më 21 shkurt para pallatit presidencial në Varshavë, do të jetë një mesazh i rëndësishëm për mbarë botën. Këtë e ka bërë të ditur mikpritësi i tij polak, presidenti Andrzej Duda.

Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken bëri një hyrje të vogël për atë "fjalim shumë të rëndësishëm" në Konferencën e Sigurisë në Mynih: Presidenti do të flasë për rrugën e përshkuar bashkërisht në vitin e parë të luftës, për situatën aktuale dhe përkushtimin ndaj suksesit të Ukrainës, e cila u sulmua nga Rusia. "Ky është gjithashtu suksesi ynë," tha Blinken.

Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris, citoi shefin e saj në Mynih dhe përsëriti premtimet që ai ka bërë vazhdimisht: "Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë me mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme," tha Harris në Konferencën e Sigurisë. NATO është më e fortë se kurrë. SHBA qëndron me vendosmëri pas Nenit 5 dhe NATO-s”.

Mesazhi për mbarë botën

Ato fjali, të cilat garantojnë mbrojtjen e Evropës në rast të një sulmi rus, sigurisht që presidenti amerikan do t'i përsërisë edhe të martën në Poloni. Nuk është rastësi që Biden do të flasë në të njëjtën ditë kur agresori rus Vladimir Putin do t'i drejtohet kombit të tij.

Biden dëshiron t'i drejtohet botës dhe të mos ia lerë Putinit të dalë i vetëm në skenën botërore dy ditë para përvjetorit të sulmit rus në Ukrainë, thotë Mihail Baranovski, kreu i zyrës së Institutit Gjerman Marshall Fund në Varshavë. "Presidenti Biden mund të flasë me polakët, me ukrainasit, por gjëja më e rëndësishme është se ai mund të flasë me të gjithë komunitetin transatlantik dhe popullin amerikan. Unë mendoj se ai do të theksojë unitetin dhe se ne duhet të qëndrojmë të fortë, të qëndrojmë me Ukrainën në një luftë ndoshta edhe më të gjatë me Rusinë."

Krahu lindor mblidhet në Varshavë

Deri tani nuk janë konfirmuar pohimet se në Varshavë mund të vijë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Por presidenti Biden vizitoi një ditë më parë Ukrainën ku dërgoi mesazhe të fuqishme për mbështetjen e këtij vendi. Ndryshe në Poloni, pritet të takohen edhe krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive.

Të mërkurën, më 22 shkurt, përfaqësuesit e vendeve nga shtetet baltike deri në Rumani (Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania) do të mblidhen në Varshavë. Këto janë vendet e krahut lindor të NATO-s, në afërsi të Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe Ukrainës. Finlanda, e cila gjithashtu ndan një kufi të gjatë me Rusinë, por ende nuk është bashkuar me NATO-n, për shkak të kundërshtimit turk, nuk merr pjesë në të ashtuquajturin samiti "Nëntë i Bukureshtit".

Zhvendosja e vëmendjes në lindje

Ditët e fundit, politikanët polakë kanë theksuar vazhdimisht se presidenti amerikan po vjen në Varshavë për herë të dytë në njëmbëdhjetë muaj. Kjo, thonë ata, nënvizon rëndësinë ushtarake dhe strategjike të Polonisë dhe nxjerr në pah miqësinë e mirë me SHBA-në.

Në një intervistë për kanalin televiziv amerikan CNBC, shefi i ushtrisë polake, gjenerali Raymund Andrejczak, tregoi se lufta kundër Ukrainës përforcoi ndryshimin e fokusit në Shtetet e Bashkuara. "Fokusi që nga koha e Luftës së Ftohtë është zhvendosur tani qartë nga Gjermania në Poloni”. Gjeostrategjia është e rëndësishme, gjeografia është e rëndësishme dhe po ashtu edhe përpjekja jonë për të stabilizuar Perëndimin”.

Pra, a është Polonia tani aleati kryesor i Amerikës në NATO? Marek Madej, një politolog në Universitetin e Varshavës, nuk është dakord: "Fokusi në Poloni nuk është çështje zgjedhjeje apo preference". Të gjitha transportet për në Ukrainë duhet të kalojnë përmes Polonisë dhe kjo është arsyeja pse është më shumë çështje logjike, çështje e logjikës gjeopolitike”.

Ushtarët amerikanë në Evropë

Michal Baranowski, kreu i zyrës së Varshavës të Fondit Gjerman Marshall, pajtohet me këtë. Ai thotë se interesat e SHBA-së dhe Polonisë janë aq të lidhura në një situatë lufte saqë qëndrimet e tjera të ndryshme politike midis presidentit polak nacional-konservator Duda dhe liberal demokratit Biden nuk luajnë ndonjë rol të madh.

"Unë mendoj se për Biden dhe administratën e tij, Evropa në tërësi është aleati më i rëndësishëm dhe se NATO është aleanca më e rëndësishme." Edhe sikur fokusi të zhvendoset në lindje për shkak të luftës, roli i Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe apo Italisë nuk do të zvogëlohet”, vlerëson Baranovski për DW.

Shumica e rreth 100.000 trupave amerikane në Evropë janë të stacionuara në Gjermani (afërsisht 38.000). Më pas vijojnë Italia dhe Britania e Madhe. Aktualisht ka rreth 10.000 trupa amerikane në Poloni dhe ata janë atje kryesisht në bazë të rotacionit. Por ekziston edhe një seli e përhershme e ushtrisë amerikane, e cila mund të sigurojë shpejt vendosjen e forcave shtesë amerikane në këtë vend. Shtetet e Bashkuara janë në krye të një grupi luftarak të NATO-s në Poloni, që numëron rreth 1000 ushtarë.

Dëshirat e Bidenit

Polonia dhe vendet e tjera lindore të NATO-s mund të kërkojnë më shumë trupa amerikane dhe stacionimin e tyre të përhershëm në takimin me Bidenin. "Nëse krijohet mundësia, qeveria polake do të kërkojë edhe më shumë”, thotë politologu Marek Madej. Megjithatë, është e paqartë nëse presidenti do t'i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese.

Bashkëpunimi ushtarak midis Polonisë dhe SHBA-së është tashmë shumë i ngushtë. Këtë e theksoi edhe shefi i ushtrisë polake, gjenerali Andrejczak. Polonia ka shpenzuar dy për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto për mbrojtje prej vitesh. "Shumica e pajisjeve moderne vijnë nga Shtetet e Bashkuara." Avionë luftarakë, raketahedhës të shumtë, tanke M-1, më të avancuarit në botë dhe një seri e tërë programesh të tjera... E ne do të bëjmë edhe më shumë”, tha Andrejchak për CNBC.

Mesazhi për Putinin

Presidenti amerikan Biden theksoi në mars të vitit të kaluar, në një fjalim në Varshavë: "Zoti im, ky njeri nuk mund të mbetet në këtë detyrë". Ai i referohej sundimtarit rus Vladimir Putin.

Shtëpia e Bardhë më pas e zbuti këtë deklaratë spontane të Bidenit, me fjalët se nuk angazhohet për ndryshimin e regjimit në Moskë. Por Biden në këtë fjalim shkoi një hap më tej dhe e quajti udhëheqësin e luftës Putin një "kasap", duke marrë parasysh vuajtjet e civilëve në Ukrainë. Tani një vit më vonë, administrata amerikane konfirmoi se e konsideron Putinin përgjegjës për krimet më të rënda të luftës.

Do të jetë interesante të shihet se si Biden do të flasë tani për armikun në Kremlin. E presidenti i SHBA-së ndoshta do të flasë edhe për rrugën e mundshme për t'i dhënë fund luftës./DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu