Dështon sërish seanca gjyqësore ndaj Kelment Balilit, të konsideruarit nga mediat greke si 'Escobari i Balllkanit'. Seanca gjyqësore ku do të jepej pretenca është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të Balilit, Theodhori Sollakut. Një mungesë pa arsye, ndryshe nga hera e shkuar ku ai paraqiti një raport shëndetësor. Seanca e radhës do të mbahet më 2 prill në orën 13:30.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar më herët kërkesën e Balilit për të përfituar gjykim të shkurtuar. Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.
Balili u vetëdorëzua mëngjesin e 15 janarit në policinë e Tiranës, pas 2 vitesh arrati. Sipas prokurorisë, Balili dyshohet se ka qenë një nga financuesit, ndërsa autoritetet greke nxorrën përfshirjen e tij në trafikimin e një sasie prej 700 kilogramësh kanabis sativa nga Saranda drejt ishullit Zakinthos në Greqi.

Komente

