Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është në qendër të një takimi ministror që po mbahet këtë të hënë në Athinë, me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis. Shqipëria përfaqësohet nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me homologun grek.
Takimi i grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe Partnerët e Ballkanit Perëndimor” zhvillohet dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me synimin për të ruajtur ritmin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Diskutimet do të përqendrohen edhe te Presidenca greke e Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, ndërsa në vëmendje do të jenë sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Këto parime janë riafirmuar në Deklaratën e Delfit të 23 prillit 2026, ndërsa takimi zhvillohet nën temën “Nga Axhenda e Selanikut 2003 deri te Deklarata e Delfit 2026”.
Në axhendë është edhe mundësia e përfshirjes së Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për të mbështetur reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin në kuadër të integrimit europian.
Në margjinat e takimit, ministri grek Gerapetritis ka zhvilluar takime dypalëshe edhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, si dhe me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe sundimi i ligjit kanë qenë ndër çështjet që ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ka theksuar gjatë takimit me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, këtë të hënë në Athinë.
Në një njoftim në rrjetin social X, Ministria e Jashtme greke zbardhi detajet e takimit.
“Në fokus ishin përpjekjet e Greqisë për të çuar përpara perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Ministri Gerapetritis theksoi gjithashtu nevojën për respektimin e shtetit të së drejtës, përfshirë të drejtat e minoriteteve, në përputhje me acquis të BE-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet me Greqinë ishin në qendër të takimit që ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të hënë në Athinë me homologun grek, George Gerapetritis.
Takimi mes dy ministrave u zhvillua në kuadër të takimit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku po diskutohet edhe për perspektivën europiane të rajonit.
Hoxha dhe Gerapetritis folën për marrëdhëniet shqiptaro-greke, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Ministri shqiptar falënderoi Greqinë për mbështetjen në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se zgjerimi i Unionit duhet të mbetet një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë.
“Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Europës”, theksoi Ministri Hoxha.
“Partneriteti strategjik, miqësia, dialogu i hapur dhe konstruktiv, si dhe e ardhmja e përbashkët europiane janë shtyllat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, shtoi Hoxha, duke nënvizuar edhe përgjegjësinë e përbashkët të dy vendeve, si aleate në NATO, për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Gjatë vizitës së tij në Athinë, Hoxha u takua edhe me shqiptarë që jetojnë në Greqi, në një pritje të organizuar nga ambasada shqiptare në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë.
Përpara përfaqësuesve të shoqatave, mësuesve, të rinjve dhe sipërmarrësve shqiptarë, ministri u ndal te lidhjet e diasporës me vendin dhe kontributi që ajo mund të japë në procesin e integrimit europian.
“Shqiptaria nuk kufizohet me kufijtë tanë gjeografikë, ajo është dhe gjallon kudo ku një shqiptar jeton, punon, krijon, ndërton dhe kontribuon. Diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë. Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, deklaroi ministri.
Kjo është arsyeja që për Ministrin e Jashtëm, e ardhmja europiane e Shqipërisë kërkon kontributin e të gjithëve.
“Ajo ka nevojë edhe për energjinë, dijen, përvojën dhe potencialin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Kjo ishte ftesa jonë në Samitin IV-t të Diasporës. Kjo është dhe mbetet ftesa jonë. Në këtë rrugëtim, diaspora nuk është thjesht në krah të Shqipërisë. Ajo është një urë e fuqishme mes atdheut dhe vendeve ku shqiptarët jetojnë, krijojnë dhe lënë gjurmë. Diaspora është pjesë e gjallë e Shqipërisë. Është atdheu ynë përtej kufijve”, deklaroi Hoxha.








Komente
Komento