PRISHTINË, 5 Dhjetor/ATSH/.- Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi thotë se në dy ditët e ardhshme do të finalizohet marrëveshja me LDK-në dhe se do të shpaloset edhe arkitektura e re qeverisëse.
Sipas KosovaPress, Thaçi ka shkruar në rrjetin social "Facebook" se ashtu sikurse e ka paralajmëruar edhe gjatë fjalimit të tij në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ditët e para të javës që vjen do të sjellin institucionet e reja në Kosovë.
Thaçi ripërsërit se institucionet e reja kanë dalë nga zgjedhjet demokratike dhe nga marrëveshja gjithëpërfshirëse e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së.
"Finalizimi i marrëveshjes së partnerëve të koalicionit do të kryhet gjatë fundjavës kur do të shpaloset edhe arkitektura e re qeverisëse. Muajin dhjetor do ta përdorim për punë intensive në Kuvend dhe Qeveri për të zbatuar prioritetet. Koalicioni i ri qeverisës do të shtyjë fuqimisht përpara axhendën euro-atlantike dhe reformat ekonomike, që nga dita e parë e punës", thotë ai./m.m/