Pas disa videove që qarkulluan në rrjetet sociale ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, Policia e Shtetit nisi verifikimet dhe hetimet përkatëse për të zbuluar çfarë fshihet pas.
Në Policinë e Tiranës u shoqëruan 2 gra paraditen e së martës pasi u identifikuan dhe sipas policisë, nga verifikimet e deritanishme rezulton se janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare, pjesë të kampit të Muxhahedinëve në Manzë.
Në përfundim të veprimeve paraprake, sipas bluve të kryeqytetit, nuk ka rezultuar që të dyja të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve. Në këtë rast, zyrtarisht policia thotë se nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve. Megjithatë, materialet në ngarkim të tyre janë nisur për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës.
Reagimi i Policisë së Shtetit
Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.
Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.
Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.
Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.
Lajmi në përditësim...
Komente











