Dy ministra: Strehimi i familjeve
rome do të bëhet brenda javës

Dy ministra: Strehimi i familjeve<br />rome do të bëhet brenda javës
TIRANË – Dy ministra të Qeverisë, Mimi Kodheli e Mbrojtjes dhe Erion Veliaj i Mirëqënies Sociale shoqëruar nga Avokati i Popullit Igli Totozani, kanë deklaruar sot se brenda javës së ardhshme, do të bëjnë strehimin e 37 familjeve rome në ambientet e restauara të ish-repartit 1005 në Shishtufinë, transferim që do përkojë me vizitën në Tiranë të Raportuesit për Shqipërinë në BE, meqënëse të drejtat e romëve janë një nga kushtet për  marrjen e statusit kandidat.
 
Tre zyrtarët e lartë inspektuan sot punimet e fundit higjeno-sanitare në këtë godinë si dhe procesin e ndarjes së saj sipas kurorave për çdo familje.
  
Ministri Veliaj deklaroi se po punohet me shpejtësi, me qëllim që strehimi i familjeve të kryhet brenda javës së ardhshme, pasi qeveria qendrore nuk ka kompetencë të ndajë banesat sociale të Bashkisë, mbetur stok.
 
Ministrja Kodheli nga ana e saj vuri në dukje pengesa e pronësisë që ngritën ish-pronarët e e truallit zgjidhet nëpërmjet ligjit, që i rregullon marrëdhëniet shtet-pronar.
 
Avokati i Popullit Igli Totozani theksoi nga ana e tij se ky moment, është vetëm fillimi i një rruge të gjatë për zgjidhjen e problemit rom; ai e nënvizoi fjalën “fillimi dhe jo mbarimi”, pasi për këtë shtresë, në të gjithë vendin, duhet menduar si të garantohet strehimi i përhershëm, regjistrimi, ndihma sociale dhe arsimimi.

veliaj kodheliVELIAJ: BRENDA JAVES MBAROJNE PUNIMET

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj tha se “në një kohë rekord kemi gjetur bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe kemi pasur një mobilizim total; edhe sot që është e diel, në këtë qëndër është duke u punuar për rregullimin e kushteve higjeno-sanitare etj.
 
Meqënëse banesat sociale nuk janë kompetencë e qeverisë qendrore, është e rëndësishme për ne që këtë vend e ka caktuar vetë komuniteti rom dhe këtu ky komunitet ka pranë shkollën, spitalin, autobusin”.
 
“Punimet që janë duke u kryer në ish-repartin ushtarak nuk janë pa para; ato po bëhen me dhurime nga fondacioni “Besa”. Për këtë i jam shumë mirënjohës Bajram Muça, po ashtu, i jam mirënjohës Avokatit të Popullit .
 
Ne jemi në fazën e fundit të punimeve dhe tashmë po bëjmë edhe ndarjet sipas familjeve dhe kurorave për familje
 
Këtë javë ne presim një vizitë nga Raportuesi i BE-së për Shqipërinë do donim që pikërisht këtë javë të fillonim transferimin e familjeve rome në këtë qëndër.
 
Ju e dini që sot në Tiranë ekzistojnë 450 banesa sociale, që ish-kryebashkiaku Rama i la, por duhet që ai dikushi që drejton sot Tiranën të kthehet në detyrë dhe të mbledhë Këshillin bashkiak për t’i shpërndarë.
 
Ne duhet të liberalizojmë legjislacionin, me qëllim që edhe kjo shtresë të ketë akses për të kërkuar banesa sociale dhe do të bëjmë çmos që t’ua lehtësojmë kushtet, pasi gjithnjë duhen parë me prioritet më të dobëtit," - tha Veliaj.

KODHELI: QEVERIA QË IKU NUK BËRI GJË PËR KËTË SHTESË

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nga ana e saj vuri në dukje një fakt: Dua të rikthej në kujtesën tuaj 8 vjet të qeverisjes së vjetër, që s’i dha asnjëherë një zgjidhje komunitetit rom, ç’ka është një nga kriteret për të marrë statusin kandidat për në BE.
 
Kjo shtresë, gjatë qeverisjes 8-vjeçare, është margjinalizuar, por ne do të punojmë që ta ngremë atë në nivelin e gjithë qyterarëve të tjerë. E falenderoj kolegun tim Veliaj për këtë stërmundim për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë problemit të këtyre familjeve.”
 
TOTOZANI: SOT DO FLASIM PËR SHTËPITE E ROMËVE, ASISTENCËN, ARSIMIN

Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili gjatë gjithë këtyre viteve të fundit ka qënë “zëdhënësi” i vetëm i komunitetit rom, tha :
 
“Kam ardhur sot këtu me ekspertët e AP-së dhe dy ministrat për të parë gjendjen e këtyre kapanove,  se pas një periudhe 2-vjeçare përpjekjesh që kjo çështje të marrë zgjidhje,  e gjetëm një përgjigje dhe jam i lumtur me punën e bërë nga ministrat.
 
Më së fundi, thirrjet tona për shprehjen e një vullneti nga Qeveria shqiptare,  u dëgjuan.
 
Ne jemi monotorues të këtij procesi dhe e theksoj se ky është një fillim i mbarë, jo mbarim, që do të thotë se kjo zgjidhje është vetëm emergjencë, pasi jemi në fillim të një rruge të gjatë dhe unë besoj se do gjejmë mirëkuptimin për t’i shkuar deri në fund.
 
Jo nesër, por që sot do flasim për strehimin e këtyre njerëzve, që këtu do qëndrojnë në mënyrë të përkohshme; do flasim edhe për ndihmën ekonomike,  punësimin, arsimimin, regjistrimin, transferimin, ç’ka do kërkojë përmirësim të ligjeve të Shqipërisë.
 
Nuk duhet të harrojmë se romët janë ende janë të përjashtuar socialë; ata nuk plotësojnë dot as vërtettm pronësie, as kontratë qeraje, pra ne jemi në fillesat e një aksioni,"- theksoi Totozani.
 
PRONARËT KUNDËR ROMËVE, KODHELI: KA ZGJIDHJE LIGJORE

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e pyetur nga gazetarët sesi do të reagojnë tani e tutje, pronarët e truallit, ajo sqaroi se “në parim, kudo ku ndërtohet, ka një pronar por ka dhe një ligj që e rregullon këtë marrëdhënie të drejtë mes shtetit dhe pronarëve.”

Disa ditë më parë, ish-pronarët e tokës ku ngrihet ish-reparti ushtarak, e kundërshtuan vendosjen e familjeve rome që jetonin në çadrat pranë Pallatit me Shigjeta, në këtë territor.

Ish-pronarët kërkuan që shteti të ndërhynte duke mos lejuar punëtorët që të bënin restaurimin e ish-repartit pasi sipas tyre, “shteti po na e merr pronën me zor. Kemi vendim gjykate.  Dosjen e kemi në komsion të  kthimit të pronave. Romët t’i gjejnë vendin ku s’ka pronarë dhe jo në toka ku ka pronar.” 
 
VENDIMI I QEVERISË PËR STREHIMIN E ROMËVE

Kur Kryeministri Rama kryente vizitën e tij në SHBA javë më parë,  zv/kryeministri Niko Peleshi mblodhi Qeverinë për t'i gjetur një zgjidhje, strehimit të komunitetit rom që jetonte tek rruga e Kavajës, në trotuaret pranë ish- Ndërmarrjes së Dekorit,ku kishin ngritur dhe barakat.

Qeveria vendosi që 37 familjet do të strehoheshin tek ish-Repartit Ushtarak 1005 në Shishtufinë. Qeveria vendosi kalimin në administrim të këtij ish-Reparti nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me qëllim akomodimin e këtyre 37 familjeve rome.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë