Ishte ende natë kur qielli mbi kryeqytetin e Venezuelës ushtoi nga zhurma e helikopterëve. Ata fluturonin ulët, shumë ulët, aq sa dukej sikur preknin majat e kodrave që rrethonin bazën ushtarake Fort Tiuna. Brenda tyre, forcat speciale kishin vetëm pak minuta kohë. Çdo vonesë mund të ishte fatale.
Kjo ishte faza përfundimtare e operacionit të 3 janarit për kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
Sipas një analize të CNN, e ndërtuar mbi më shumë se 50 video dhe imazhe të dëshmitarëve okularë, si edhe mbi hartëzimin e rrugëve të fluturimit të helikopterëve amerikanë, pikërisht këtu ishte përqendruar rreziku më i madh i gjithë misionit. Helikopterët po zbrisnin në lartësi shumë të ulët mbi një kompleks të fortifikuar rëndë, brenda një baze ushtarake aktive, në zemër të Karakasit.
Pak para uljes, nata u kthye në zjarr. Videot e analizuara nga CNN tregojnë një shkëmbim intensiv të shtënash mes helikopterëve sulmues amerikanë dhe mbrojtjes ajrore venezueliane. Plumbat vinin nga toka, përgjigjja nga ajri. Në atë moment, helikopterët po lëviznin ngadalë dhe ishin më të pambrojtur se kurrë.
CNN dokumenton një periudhë kritike prej rreth dy minutash, koha mes momentit kur një helikopter transporti preku tokën dhe çastit kur u ngrit sërish. Gjatë gjithë kësaj kohe, zjarri nuk pushoi. Ishte, sipas ekspertëve ushtarakë, faza më e rrezikshme e gjithë operacionit.
“Çdo helikopter është më i cenueshëm një minutë para uljes dhe një minutë pas ngritjes”, shpjegon ish-oficeri i Forcave Ajrore Amerikane, Wes Bryant, i cili e përshkruan misionin si një hyrje të drejtpërdrejtë “në zemër të një shteti sovran”. Sipas tij, në rrethana të tjera, një operacion i tillë do të ishte anuluar.
"Po flasim për hyrjen në zemër të një shteti sovran për të kapur presidentin e tij. Nëse Rusia apo Kina do të bënin diçka të tillë në Shtetet e Bashkuara, do të ishte një skenar i paimagjinueshëm”, tha ai.
Zgjedhja e pikës së uljes e rriti edhe më tej rrezikun. CNN e identifikon kompleksin brenda Fort Tiuna-s si vendin më të mundshëm të nxjerrjes së Maduros, një rezidencë e fortifikuar, e rrethuar nga mure të larta, pika kontrolli dhe kodra të pjerrëta që kufizonin çdo lëvizje.
Por ajo që ndodhi mbi Karakas ishte vetëm fundi i një operacioni të nisur orë më parë.
Në orët e para të 3 janarit, një seri goditjesh u kryen në të gjithë Venezuelën. Radarë, komunikime dhe sisteme të mbrojtjes ajrore u vunë në shënjestër për të hapur një korridor të sigurt për helikopterët e forcave speciale. Shefi i Shtabit të SHBA-së, gjeneral Dan Kane, konfirmoi se më shumë se 150 avionë ishin ngritur nga 20 baza tokësore dhe detare.
Rreth orës 01:30 sipas kohës lokale, shpërthime u raportuan në qytetin bregdetar Higuerote, rreth 80 kilometra në lindje të Karakasit. CNN publikoi video që tregonin sulme në aeroportin vendas, ku ndodheshin sisteme kundërajrore Buk-M2 të prodhuara në Rusi.
Pamjet e mëngjesit treguan një prej tyre ende duke nxjerrë tym. Ekspertët besojnë se në këto goditje u përdorën dronë sulmues njëpërdorimësh, të ngjashëm me ata të përdorur në luftën në Ukrainë.
Në orën 01:58, dy helikopterë transporti MH-47 Chinook u shfaqën në video duke fluturuar ulët drejt Fort Tiuna-s, duke ndjekur një luginë të ngushtë. Bryant e përshkroi këtë fazë si “kaos i organizuar”.
Sipas CNN, forcat amerikane mbërritën në kompleksin ku ndodhej Maduro rreth orës 02:01. Pas sigurimit të zonës, u krye arrestimi. Në fazën e dytë, helikopterët sulmues ofruan mbulim ajror, ndërsa helikopterët e transportit nxorën Maduron dhe forcat që e arrestuan, mes shkëmbimeve të forta zjarri.
Rreth një minutë e 44 sekonda pas uljes, videot tregojnë re pluhuri dhe shpërthimesh që mbulojnë zonën. Menjëherë pas tyre, një helikopter Chinook ngrihet, i ndjekur pak më vonë nga një i dytë. Njëri largohet pa drita, duke fluturuar ulët dhe me shpejtësi drejt kodrave përreth.
Deri në orën 03:00, të shtënat në Karakas kishin pushuar. Rreth një orë më vonë, fluturimet ajrore u ndalën. Sipas gjeneralit Kane, forcat amerikane dolën nga hapësira ajrore e Venezuelës në orën 04:29.
Më vonë, autoritetet venezueliane raportuan rreth 100 të vrarë, ndërsa Kuba njoftoi për 32 viktima nga Garda Presidenciale. Administrata amerikane deklaroi se nuk pati humbje nga pala e saj. Një dokument paraprak i Departamentit amerikan të Drejtësisë kishte paralajmëruar për “rezistencë të konsiderueshme” dhe rrezik real për helikopterët.
Vetë presidenti Donald Trump do ta pranonte më pas: operacioni “mund të kishte shkuar shumë, shumë keq”.
Sepse gjithçka ishte vendosur në vetëm dy minuta.
Komente











