Sot në Tiranë janë paralajmëruar dy protesta kombëtare, njëra para Ministrisë së Arsimit dhe tjetra ajo para Kryeministrisë e organizuar nga Partia Demokratike.

Edhe pse protesta ishte paralajmëruar në orën 12:00 deri më tani në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' janë mbledhur vetëm një grup i vogël militantësh. Të pranishëm janë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi që patën një përplasje me Policinë e Shtetit. 

Këlliçi ka pretenduar se efektivët kanë penguar qytetarët të lëvizin lirshëm dhe kanë ndërhyrë edhe ndaj deputetëve. Vihet re se  Sali Berisha, i cili e thirri protestën kombëtare të PD, ashtu si të shtunën e 24 tetorit, nuk është i pranishëm.

Ndërkohë para Ministrisë së Arsimit, janë mbledhur një grup protestuesish. Ata kanë vijuar me thirrjet e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Më herët Kryeministri Edi Rama bëri sërish thirrje për dialog. Kreu i qeverisë shpërndau në rrjetet e tij sociale një video, në të cilën shfaqet “tryeza” e gurtë para godinës së kryeministrisë me fletët që mbajnë të shkruar fjalën “dialog”.

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:06
Thirri protestën e PD, asnjë shenjë e Berishës para kryeministrisë! Dërgon Nokën, Bardhin dhe deputetë të tjerë

Kupola drejtuese dhe eksponentë të Partisë Demokratike janë bërë pjesë të protestës që kanë thirrur para kryeministrisë.

Mes tyre shihen Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, si dhe pjesëtarë të Partisë së Lirisë si Erisa Xhixho, Tedi Blushi. Më herët u shfaq edhe Belind Këlliçi.

Kreu i PD, Sali Berisha, ashtu si dhe të shtunën e kaluar të protestës kombëtare që thirri, mungon sot. Megjithatë, PD ka shprehur vazhdimisht mbështetje për protestën dhe më vonë pritet t’i bashkohet protestuesve të grumbulluar te Ministria e Arsimit.

Ora 12:50
Protesta te Ministria e Arsimit, polici ndihmon të moshuarën dhe bisedon me të (VIDEO)

 

Ndërsa në bulevard deputetët e Partisë Demokratike përplasen me policinë, te Ministria e Arsimit pamja është plotësisht e ndryshme.

Protestuesit deri më tani nuk kanë kryer asnjë sulm, ndërsa një polic shihet duke mbajtur për krahu një zonjë të moshuar ndërsa bisedon me të.

Ora 12:45
‘Hiqe dorën, plehrë!’ Këlliçi e Blushi përplasen me policët: Po pengoni lëvizjen e njerëzve (VIDEO)

 

Deputetët Belind Këlliçi e Tedi Blushi janë përplasur me policinë në bulevard duke akuzuar se nuk lejojnë kalimin e qytetarëve. Në një moment, Blushi përpiqet të shtyjë policët, të cilët nuk e lejojnë të vazhdojë përpara.

Policia: Ikni mbrapa!

Qytetari: Hap rrugën aty se do të iki në shtëpinë time!

Policia: Kemi një urdhër.

Tedi Blushi: Ça urdhri?

-Është deputet, mos e prek me dorë! nuk ke të drejtë ta prekësh me dorë!

Edhe mes Këlliçit e policëve ka një përplasje ku deputeti edhe fyen efektivët. Këta të fundit i thonë se ka një perimetër sigurie i cili pengon lëvizjen.

Belind Këlliçi: Hiqe dorën! Plehrë!

Policia: Prit pak!

Belind Këlliçi: Për çfarë i pengon njerëzit? Ça problemi ka, pse pengohen njerëzit?

Policia: Është perimetri i sigurisë.

Qytetari: Nga kush siguroheni? Nga kush keni frikë?

Belind Këlliçi: Dua të kaloj bashkë me zotërinë që është në biçikletë, në rrugë të vet.