Trajneri Sylvinho zbardhi sot listën me 26 emrat e futbollistëve që do përfaqësojnë Shqipërinë në play-off-in e Kupës së Botës 2026. Bie në sy se mes tyre janë edhe Stavro Pilo (mund ta hasim edhe si Stavros Pilios për shkak se ka lindur në Greqi) dhe Bujar Pllana. Pilo luan si mbrojtësi i majtë me AEK-un e Athinës, ndërsa Pllana luan si mbrojtës qendre me Lechia Gdansk në Poloni.
Stavro Pilo - I lindur në ishullin Rhodos (Greqi) më 10 dhjetor 2000, Stavros Pilios (Stavro Pilo) është i biri i dy prindërve me origjinë nga Dropulli që kanë emigruar herët në vendin fqinj. Fillimisht ai spikati si mbrojtës i majtë te Pas Janina, për të kaluar më pas për një sezon te Iraklis. Verën e 2023 AEK-u i Athinës i besoi të riut dhe e afroi në ekip. Gjatë kësaj kohe, Pilio ka luajtur me verdhezinjtë 66 herë, duke shënuar një gol dhe dhuruar shtatë asistime. Vlera e tij në 'Transfermarkt' është 1.5 milion euro. Njësoj si Mario Mitaj, i cili doli po nga AEK-u, edhe Stavros Pilios po ndjek të njëjtën rrugë teksa këtë sezon ka bërë 33 paraqitje.
Bujar Pllana - 24-vjeçari ka luajtur në Superligën e Kosovës te skuadrat; Trepça, Feronikeli dhe Prishtina, para se në vitin 2023 të kalonte te Slaven Belupo në Kroaci dhe më pas te Lechia Gdansk në Poloni ku luan prej një viti e gjysmë. Këtë sezon në Superligën polake Bujar Pllana ka luajtur 12 ndeshje për 839 minuta në total. Veç qendrës së mbrojtjes, ai luan edhe në krahun e djathtë dhe duket si një përforcim i Hysajt dhe Balliut.
Lajmi kryesor:
LISTA/ Pilo dhe Pllana për herë të parë në ekip, rikthehen Muçi e Mehmeti! Sylvinho zbardh emrat e 26 'luftëtarëve' për play-off-in e Kupës së Botës






