Dy sherre mes disa personave, të ndodhura në Kamëz dhe në zonën e Kombinatit në Tiranë, kanë përfunduar me 3 persona të arrestuar dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Konflikti i parë ka ndodhur në fshatin Zall-Herr, ku dy të rinj, 20 dhe 21 vjeç, dyshohet se kanë goditur me grushte dy persona. Policia ka arrestuar të dy të dyshuarit, ndërsa po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në konflikt.
Ndërkohë, në rrugën "Thoma Goxha" në zonën e Kombinatit, një 37-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht dy persona gjatë një konflikti. Për të njëjtën ngjarje është shpallur në kërkim edhe një 33-vjeçar, i dyshuar si i përfshirë në sherr.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 20 vjeç, dhe O. E., 21 vjeç, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur në fshatin Zall-Herr, kanë goditur me grushte 2 shtetas. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasin O. Z., 37 vjeç, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, të ndodhur në rrugën “Thoma Goxha”, në zonën e Kombinatit, ka goditur fizikisht 2 shtetas, duke u shkaktuar dëmtime. Në lidhje me këtë ngjarje u shpall në kërkim edhe shtetasi K. L., 33 vjeç, i dyshuar si i përfshirë në konflikt. Punohet për kapjen e tij. Pamjet e këtij konflikti janë publikuar edhe në rrjetet sociale", njofton policia.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Komente









