Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë u arrestua nën dyshimin se ka kërkuar ryshfet nga dy vëllezër të cilët po hetoheshin për shpërndarje të lëndëve narkotike, në mënyrë që t’i shpëtonte nga arrestimi.
Burimet thonë se oficeri Edmond Ruçi kishte siguruar informacione për dy vëllezërit shpërndanin drogë, ndaj pas nisjes së hetimeve kërkoi autorizim nga prokuroria për përgjimin e tyre. Me provat në duar, OPGJ dyshohet se ka takuar nënën e dy djemve, duke i kërkuar para që të mbyllte çështjen. Dy vëllezërit nuk anë pranuar të paguajnë, ndaj Edmond Ruçi, dorëzoi provat në Prokurori, bashkë me materialet e përgjimit kundër tyre.
Dy vëllezërit u arrestuan më 19 maj, me 24 doza kanabisi në makinë. Por burimet thonë se në ambientet e dhomave të shoqërimit ata kanë folur për ryshfetin që OPGJ u kishte kërkuar.
Njoftimi i Prokurorisë Sarandë
Hetimet e Prokurorisë Sarandë për një çështje për ‘Prodhimin e shitjen e narkotikëve’ çojnë në ndalimin e oficerit të policisë, i dyshuar për përfshirje në korrupsion pasiv
Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, shtetasi E.R., është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Ndalimi u krye në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.305, datë 19.05.2026, i regjistruar për veprën penale te “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve K.D. dhe A.Z., pasi në automjetin e drejtuar nga shtetasi A.Z., u gjetën dhe sekuestruan 24 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Këta shtetas u arrestuan në flagrancë dhe hetimet po vijojnë.
Gjatë hetimit të këtij rasti, lindën dyshime per përfshirje në veprimtari të kundraligjshme nga oficeri i policisë gjyqësore, që po hetonte rastin në fjalë, shtetasi E.R.
Për rrjedhojë, nga ana e prokurorit të gatshëm, u kryen veprime hetimore, nga ku rezultuan të dhëna për përfshirjen e oficerit që heton çështjen në vepime të dyshuara korruptive dhe ndaj tij u procedua me urdhër për ndalimin e të dyshuarit për një krim per veprën penale te “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” prashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.
Oficeri i policisë gjyqësore është ndaluar nga shërbimet e AMP dhe hetimet po vijojnë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Oficeri i Policisë Gjyqësore, Edmond Ruçi, i arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Sarandë, dyshohet se ka përdorur informacionet hetimore për të favorizuar persona të përfshirë në veprimtari kriminale, kundrejt përfitimeve financiare. Sipas burimeve të gazetarit të Report Tv Sokol Dema, Ruçi kishte siguruar informacione për përfshirjen e dy vëllezërve në aktivitete të paligjshme dhe pas nisjes së hetimeve, kërkoi autorizim nga prokuroria për përgjimin e tyre.
Gjatë përgjimeve, dy të dyshuarit flisnin për veprimtarinë kriminale që po hetohej nga autoritetet. Por në vijim, oficeri i policisë dyshohet se ka takuar nënën e dy vëllezërve, së cilës i ka treguar se djemtë e saj ishin nën hetim dhe se po përgjohej komunikimi i tyre. Ai i ka kërkuar gruas që djemtë t’i jepnin shuma parash, me qëllim mbylljen e procedimit penal dhe shmangien e arrestimit. Gruaja më pas ka komunikuar me dy djemtë e saj, duke i vënë në dijeni për bisedën me efektivin e policisë.
Këto komunikime janë regjistruar në përgjime, pa dijeninë e Ruçit. Pasi dy vëllezërit nuk kanë pranuar të paguanin shumën e kërkuar, Edmond Ruçi ka dorëzuar në prokurori provat dhe materialet e përgjimit kundër tyre. Megjithatë, në dosje ishin administruar edhe bisedat komprometuese mes nënës dhe djemve të saj, ku flitej për kërkesën e efektivit të policisë. Nga zbardhja e përgjimeve, prokuroria dyshoi se oficeri kishte luajtur në dy krahë, duke përdorur hetimin për qëllime përfitimi personal. Pas verifikimit të komunikimeve, është lëshuar urdhri për arrestimin e tij.
Komente











cdo shites droge ka pas nje oficer gjyqsor prapa.
Përgjigju