BERLIN - Është sqaruar rasti i vrasjes i quajtur si “valixhja”. Fjala është për vrasjen e kryer në Gjermani në muajin tetor të vitit të kaluar, të shqiptarit 46-vjeçar nga Maqedonia, Amza Zekiri.
 
Zyrtarët e ndjekjes së krimit kanë arrestuar njërin nga dy djemtë e të ndjerit. I madhi nuk është në Gjermani dhe vendndodhja e tij ende nuk dihet. Kufoma e Amza Zekirit, është gjetur më 6 shkurt nga dy persona 16-vjeçarë në një kënetë.
 
Ajo ishte e mbyllur në një valixhe, të cilën dy personat e kishin nxjerrë nga akulli i kënetës.
 
Hetuesit kishin pasur edhe më parë indikacione se vrasja mund të ishte bërë nga rrethi i të afërmve të të ndjerit dhe kështu dyshimet shkonin drejt dy bijve Adnanit (20 vjeç) dhe Fatmirit (26 vjeç).
 
Adnani është arrestuar dhe me rastin e marrjes ne pyetje ka pranuar veprën si dhe e ka sqaruar atë, shkruan Harburg aktuell.
 
Sipas rrëfimit të tij, pas një konflikti që kishte pasur me të atin, e kishte mbytur atë dhe pastaj, bashkë me vëllanë e madh e kishin futur në valixhe. Së bashku e kishin dërguar atë me një taksi për në Sinstorf (Harburg, Gjermani veriore).
 
Djali që ka pranuar veprën do të hetohet më tutje nga gjyqtari hetues ndërsa vëllai i tij është jashtë vendit.
 
Hetuesit, duke bazuar në të dhënat e Adnanit janë në kërkim të taksistit i cili natën në mes të 29 dhe 30 tetorit të vitit 2013 i ka marrë dy vëllezërit./
 
 Marrë nga albinfo.ch
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)