Dy fjalë nuk rrinë dot në të njëjtën fjali pa u përplasur: kryengritje dhe paqësore. Njëra mbart shpërthimin, tjetra përmbajtjen. Njëra nënkupton thyerje rendi, tjetra ruajtje të tij. Megjithatë, në diskursin publik, sidomos në politikë, këto dy terma shpesh përdoren së bashku, jo për të sqaruar realitetin, por për ta mjegulluar.

Kryengritja, në thelb, është akt përmbysjeje. Ajo lind kur një rend konsiderohet i padrejtë dhe kërkon të rrëzohet, jo të negociohet. Kryengritja është energji kolektive që nuk kërkon leje, por imponon ndryshim. Historikisht, kryengritjet kanë qenë të lidhura me dhunën, jo domosdoshmërisht si qëllim, por si pasojë e pashmangshme e përplasjes me pushtetin. Kryengritja është një refuzim i hapur.

Në anën tjetër, paqësore presupozon kufizim. Është një zgjedhje për të mos kaluar vijën e dhunës, për të kërkuar ndryshim përmes presionit moral, jo përmes forcës fizike. Protesta paqësore është apel, jo ultimatum. Ajo kërkon të bindë dhe jo të detyrojë.

Problemi lind kur këto dy koncepte bashkohen artificialisht: “Kryengritje paqësore”. Në pamje të parë tingëllon si një formulë moderne, një përpjekje për të zbutur radikalizmin pa e humbur energjinë e tij. Por në thelb, është një kontradiktë. Sepse në momentin që një lëvizje mbetet plotësisht paqësore, ajo ka zgjedhur të mos jetë kryengritje, por protestë. Dhe në momentin që bëhet kryengritje e vërtetë, ajo e ka kaluar kufirin e paqes.

Përdorimi i këtij kombinimi shpesh është strategjik. Politikanët e përdorin për të mobilizuar ndjekësit me retorikë të fortë (“kryengritje”), ndërkohë që ruajnë një alibi publike dhe ligjore (“paqësore”). Është një mënyrë për të ndezur emocionet pa marrë përgjegjësinë për pasojat. Një thirrje që kërkon zjarr, por pretendon se do të ngrohë pa djegur.

I vendosur ky togfjalësh në diskursin e Berishës është një kontradiktë e qëllimshme, sepse kur Berisha flet për “kryengritje paqësore”, nuk përshkruan një realitetr por ndërton një narrativë.

T’i bashkosh këta dy terma nuk është thjesht paradoks gjuhësor, por është strategji politike. Berisha kërkon të ndezë emocionin e një kryengritjeje, ndjenjën e revoltës, të përmbysjes, të pa marrë mbi vete koston reale që një kryengritje sjell. Ndaj i shton menjëherë një “paqësore”, si një lloj siguracioni publik dhe ligjor, sidomos para ndërkombëtarëve. Një mesazh me dy kahe: poshtë zemërimi, sipër alibia.

Kjo retorikë prodhon një efekt të dyfishtë dhe të rrezikshëm. Nga njëra anë, mobilizon mbështetësit me një gjuhë që premton ndryshim radikal. Dhe kur gjuha radikalizohet më shpejt se veprimi, krijohet një hendek i rrezikshëm mes pritshmërisë dhe realitetit. Nga ana tjetër, i mban ata të lidhur pas një kufiri të paqartë veprimi. Pra, i thërret për përmbysje, por u kërkon të sillen si në një protestë simbolike. Rezultati? Frustrim kolektiv dhe energji e shpërdoruar në një rutinë protestash që nuk prodhon asgjë të re.

Në thelb, “kryengritja paqësore” e Berishës nuk është as kryengritje, as paqe. Është një konstrukt retorik që i shërben një qëllimi të vetëm: të mbajë gjallë tensionin politik pa e çuar atë në një pikë vendimtare. Një gjendje pezull, ku gjithçka duket në prag shpërthimi, por asgjë nuk shpërthen.

Në shoqëri të brishta demokratike, kjo lojë me fjalët është e rrezikshme. Krijon pritshmëri të rreme. Njerëzit thirren në “kryengritje”, por u kërkohet të sillen si në një marshim simbolik. Ose, në të kundërt, mobilizohen për protesta paqësore që rrëshqasin lehtësisht në tension, sepse gjuha që i ka thirrur nuk ka qenë kurrë paqësore. Një lidership që nuk “zgjedh” dot mes protestës dhe kryengritjes, në fakt nuk ka zgjedhur asgjë, përveçse të zgjasë pafund një iluzion.

Gjithsesi është çështje ndershmërie konceptuale. Një shoqëri duhet të dijë çfarë po bën. Proteston apo ngrihet në kryengritje? Këto nuk janë dy forma të së njëjtës gjë, por dy rrugë të ndryshme, me pasoja të ndryshme. T’i përziesh nuk është zgjuarsi politike; është manipulim.

Dhe manipulimi, ndryshe nga kryengritja dhe paqja, bashkëjeton shumë mirë me të dyja./TemA