Pamjet e shpërndara nga aeroporti i Karakasit në momentet e lëkundjeve treguan forcën e dhunshme të tërmetit që rrëzoi dhjetëra e ndoshta qindra ndërtesa në gjithë vendin.
Pasojat në videot e shpërndara në rrjetet sociale pas qetësimit të situatës, janë të dukshme kudo, me rajonin La Guaira dhe Karakasin që raportohen si dy zonët më të prekura.
Banorë të Karakasit shprehën përjetimin e tyre teksa lëkundjet vrasëse filluan.
“Fatmirësisht, familja ime — gruaja ime, mbesa ime dhe unë — ishim jashtë pallatit. Kur u kthyem, pamë se ai ishte shkatërruar plotësisht. Për fat të mirë, edhe fqinjët arritën të shpëtonin jetën e tyre. Çfarë mund të them?”, tha një burrë.
“Isha ulur në kuzhinë kur ndjeva se gjithçka filloi të dridhej dhe pyeta: ‘Po dridhet?’ në shtëpi m’u përgjigjën: ‘Po, po, po lëkundet.’ Lëkundjet ishin vërtet shumë të forta. Unë thjesht qëndrova aty duke thënë: O Zot i madh, ja ku jam”, rrëfeu një grua.
Presidentja në detyrë Delcy Rodriguez, në një dalje emergjente për mediat bëri thirrje që njerëzit të qëndronin të bashkuar teksa vendi futej në fazën e menaxhimit të krizës dhe operacionit të kërkim shpëtimit.
“Në këtë moment me ndjeshmëri të madhe për popullsinë tonë, dhe për ata që fatkeqësisht kanë pësuar humbjen e një anëtari të familjes, ne shprehim ngushëllimet tona të menjëhershme. Po ashtu, duam t’i kërkojmë popullsisë bashkëpunimin maksimal. Dhe tani po shpallim gjendjen e jashtëzakonshme, siç parashikohet në Kushtetutën tonë. Dua të falënderoj qeveritë e botës që, menjëherë pasi ndodhën këto tërmete, kontaktuan Venezuelën për të ofruar solidaritet dhe mbështetje”, tha Rodriguez.
Bilanci i dytë i përditësuar nga zyra e presidentes flet për 160 persona të vdekur dhe 900 të plagosur dhe mbi 30,000 njerëz të zhdukur
Shërbimi Gjeologjik amerikan tha se eventi natyror mund të konsiderohej si ndër më të rrallët, për shkak se dy tërmete kaq të mëdhenj ndodhin në një hark kohor të shkurtër njëri pas tjetrit. Sipas institutit, bilanci me gjasë mund të arrijë në mijëra të vdekur dhe është më i forti i regjistruar ndonjëherë në brigjet e Venezeuelës dhe territorit të tij në 125 vitet e fundit.
Nga zona e La Guaira, e cila mendohet të jetë më e dëmtuara nga tërmetet, nuk ka të dhëna sipas zyrës së presidentes. Rajoni ndodhet pa energji elektrike më shumë ndërtesa të shembura dhe një pjesë e madhe e njerëzve kaluan natën në rruguë.
Shtetet e Bashkuara, Panamaja, Katari, Kuba, Nikaragua, Turqia, Jordania, Barbadosi, Kurasao, Kolumbia, Mbretëria e Bashkuar, Brazili, Meksika, Kombet e Bashkuara dhe organizata financiare kontaktuan menjëherë qeverinë venezueliane përmes kanaleve të ndryshme për të shprehur solidaritetin e tyre me popullin e Venezuelës.
Donald Trump tha në një status në Truth se dëmet në venezuelë janë të rënda. Mesazhe ngushëllimi shprehën liderë nga e gjithë bota mes tyre Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Friedrich Merz apo edhe shefi i OKB.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka akorduar 200 milionë dollarë për rindërtimin e Venezuelës pas tërmeteve shkatërruese.
Gjatë një lidhjeje telefonike me televizionin publik Venezolana de Television (VTV), presidentja në detyrë Delcy Rodriguez bëri të ditur se tërmeti është pasuar nga 30 lëkundje të tjera.
Ajo tha se fondet e FMN-së do të përdoren për rindërtimin e infrastrukturës, spitaleve dhe banesave të familjeve që kanë humbur shtëpitë, ndërsa do të vihen në dispozicion edhe linja kredie për personat që kanë humbur aktivitetin e tyre kryesor ekonomik.

Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritetin me Venezuelën pas tërmeteve shkatërruese, duke u shprehur i gatshëm të aktivizojë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së nëse autoritetet venezueliane paraqesin një kërkesë. Në një deklaratë të përbashkët,
Përfaqësuesja e Lartë Kallas dhe komisionerët Sìkela dhe Lahbib shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa theksuan se BE-ja është në kontakt me autoritetet dhe po vlerëson nevojat urgjente humanitare me partnerët.
Sipas deklaratës, është aktivizuar edhe sistemi satelitor Copernicus në modalitetin e hartëzimit emergjent për të mbështetur operacionet e reagimit, ndërsa BE-ja tha se mbetet në kontakt të ngushtë me partnerët humanitarë dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme operative.
Foto: Ursula von der Leyen
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas dy tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën Venezuelën.
Përmes një postimi në X, Von der Leyen ka shprehur mbështetjen veçaanërisht për familjet e viktimave.
“Shprehim solidaritetin tonë me të gjithë venezuelianët pas tërmeteve shkatërruese të natës së kaluar. Mendimet e mia shkojnë veçanërisht për viktimat dhe familjet e tyre. Jemi me ju”, shkroi Presidentja e Komisionit Evropian në X.
Gërmadhat janë ato që kanë mbetur nga ndërtesat e rrënuara prej dy tërmeteve apokaliptike në Venezuelë.
Banorët e frikësuar e kanë kaluar natën jashtë shtëpive, ndërsa ka pasur edhe disa prej tyre që janë evakuuar.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet intensive.

Donald Trump ka reaguar në Truth Social lidhur me tërmetet në Venezuelë.
“Dy tërmetet e mëdha që sapo goditën popullin e madh të Venezuelës janë me përmasa gjigante dhe kanë lënë një numër shkatërrues viktimash.”
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë gati, të gatshme dhe të afta për të ndihmuar!”
Trump shtoi se ka “urdhëruar të gjitha agjencitë e qeverisë të përgatiten për të vepruar shpejt”.
“Ne do të jemi aty për miqtë tanë të rinj dhe të mëdhenj. Raportimet pararaprake nuk janë të mira!!!”
Deri tani nuk ka raportime zyrtare publike për numrin e viktimave.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendi po dërgon “menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare” drejt Venezuelës.
Janë publikuar pamje që tregojnë njerëz duke vrapuar nëpër korridoret e aeroportit kryesor ndërkombëtar të Venezuelës, në momentin kur goditi tërmeti, ndërsa përpiqeshin të mbroheshin nga mbeturinat dhe copat e materialeve që binin nga lart.
Pamjet ilustrojnë panikun dhe kaosin që përfshiu Maiquetía International Airport gjatë lëkundjeve sizmike, teksa udhëtarët dhe personeli kërkonin strehim dhe siguri.
Aeroporti është mbyllur për shkak të “dëmtimeve serioze” të shkaktuara nga tërmeti, sipas deklaratës së Delcy Rodríguez.

María Corina Machado, fituese e çmimit Nobel për Paqen dhe lidere e opozitës në Venezuela, ka publikuar një deklaratë pas tërmetit.
“Zemra ime, përqafimi im i pafund dhe lutjet e mia janë me çdo familje venezueliane në këto orë ankthi”, shkruan ajo në një postim në X.
“Uroj që forca, qetësia dhe solidariteti të mbizotërojnë mes nesh përballë këtij momenti të vështirë”, vazhdon ajo, duke shtuar: “Zoti e mbroftë çdo venezuelian, familjet tona dhe shtëpitë tona. Sot jemi më të bashkuar se kurrë.”

Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas goditjes së vendit nga dy tërmete të njëpasnjëshme dhe të fuqishme, me magnitude 7.2 dhe 7.5.
Ajo gjithashtu caktoi një gjeneral për të mbikëqyrur operacionet e reagimit ndaj gjendjes së emergjencës.
Rodríguez po udhëheq vendin në mënyrë të përkohshme që nga janari, kur paraardhësi i saj, Nicolás Maduro, u arrestua nga forcat amerikane dhe u dërgua në Neë York për t’u përballur me gjyq nën akuza për trafik droge.
Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje mbi të gjitha për unitet nga populli venezuelian.
Ajo gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj për familjet që kanë humbur të afërm nga tërmeti, pa dhënë një numër zyrtar të viktimave.
Komente








