Policia Ushtarake ka arrestuar këtë të enjte dy ushtarakë të dyshuar si të lidhur me pilotin Sokol Feka i cili ishte përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme të trafikut të drogës. Feka humbi jetën në spanjë teksa helikopteri që ai drejtonte i mbushur me 1 ton drogë u rrëzua në tentativë për tu shmangur Gardës Civile spanjolle, në zonën e Malagas.

Ministria e Mbrojties në një komunik zyrtar sqaron se për thyerje të rëndë të disiplinës, Policia Ushtarake ka bërë ndalimin e dy ushtarakëve, një Major dhe një Kapiten, si të dyshuar për lidhjet e tyre me Majorin e përfshirë në ngjarjen e ndodhur. 

Për të hedhur dritë të plotë mbi dyshimet e ngritura, Policia Ushtarake po bën kallëzimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. A1 Report ka mundur të mësoj se veç dy arrestimeve, masa janë marrë dhe nga shtabi i përgjithsëm për 6 ushtarakë të cilët nga efektiv aktiv kanë kaluar në dispozicion.

Ushtarakët të cilët kanë kaluar në dispozicion sipas burimeve të A1 Report janë 2 efektivë të policisë ushtarake me detyrë zbulimin e krimeve në regjimentin e helikotperëve në farkë dhe 4 oficerë të cilët shërbenin në drejtorinë e zbulimit dhe personelit në të njëjtin regjiment ku shërbente dhe piloti Feka prej vitesh.
 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)