Dy vite më parë dogji Bunk'Art 2
sot pendohet: Muzeu i vlefshëm

Dy vite më parë dogji Bunk'Art 2<br />sot pendohet: Muzeu i vlefshëm
Dy vite më parë ish-i përndjekuri Nastas Tili ishte mes protestuesve të Partisë Demokratike duke djegur e sulmuar hyrjen e Bunk'Art 2 ende të papërfunduar, sot në ditën e 20 shkurtit, ndërsa e viziton dhe sheh me vëmendje të gjitha fotot, dokumentet e dëshmitë e ekspozuara, ndryshon mendim: “Jo vetëm që nuk ka asgjë të keqe ky muze, por është shumë i nevojshëm”.

Tili, i dënuar dhe i burgosur me 18 vite burg rrëfen për Report Tv në ditën e kujtesës së krimeve të diktaturës, që përkon me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, rëndësinë e memories së krimeve të Diktaturës.

Tani këtu është ndërtuar një muze që kujton krimet e diktaturës, mendon që është i nevojshëm?
 "Pse të mos jetë i nevojshëm, kur tregon krimet? Është shumë mirë që tregon krimet që janë kryer".
 
Po hapjen e këtyre muzeve e quan një hap përpara për hapjen e dosjeve?
"Unë them që ky bunker për mua nuk ka asgjë të keqe. Ne e dogjëm se ashtu na thanë dhe ashtu vepruam, por për mua nuk ka asgjë të keqe ky bunker. 
Tregon se kush është Petrit Dumka. Tregon të gjithë këta njerëz që janë vrarë".
 
Ju nuk e dinit që do të bëhej për të persekutuarit?
"Ku e dinim ne? Thanë që do bëhej që të futeshin qeveritarët në rast të ndonjë lufte, ata do futeshin këtu dhe do izoloheshin".
 
Për muzeun çfarë mund të thoni meqë jemi këtu brenda?
"Unë për muzeun për hesapin tim, them që është një gjë shumë e mirë. Pavarësisht se ata shokët do ta rrëzojnë se e ka bërë Edi Rama. Unë nuk kam hyrë deri në krye, por them që është gjynah që ta prishin këtë muze".
 
Me modestinë që e karakterizon Nastasi kujton ditën e rënies së shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë. Ishte në Korcë në 20 shkurtin e 1991-shit dhe ai me kryengritësit korçarë që vuajtën nga diktatura pasi panë rënien në Tiranë e hoqën frikën dhe rrëzuan edhe bustin e diktatorit në Korçë.
 
Jemi në një muze që tregon të gjitha pasojat e diktaturës. Si e ke përjetuar ditën e rënies së shtatores së Enver Hoxhës?
"Kur vdiq Enver Hoxha unë punoja në minierë, edhe dola jashtë edhe pyes shokët, çfarë ka ndodhur? Më thanë që vdiq Enver Hoxha. I them si vdiq Enver Hoxha? Edhe ika menjëherë se mos dëgjonte ndonjë njeri atje".
 
Kur ra shtatorja e Enver Hoxhës, ishit në Tiranë?
"Isha në Korçë. E morën të rinjtë bustin, dhe e tërhoqëm zvarrë".
 
Nastas Tili ka bërë 18 vite burg për politikë. U kap në kufi nga rojet së bashku me nje shok në tentativë për arratisje. Dëshironte të shkonte në Amerikë. Ishte viti 1967 kur e burgosën. Që nga ky vit nis dhe kalavari i vuajtjeve dhe torturave të tij. Nastas Tili nuk gjen fjalë të përshkruajë mundimet e burgut. Emrat e tre hetuesve që e kanë torturuar nuk i shqiten nga mendja.
 
Keni qenë të përsekutuar?
 "Unë bëra 18 vjet burg".
 
Për çfarë arsyeje?
"Për arratisje. Nuk më pëlqente regjimi mua, edhe doja të shkoja së bashku me një shok në Kanada. Mirëpo fatkeqësisht na zunë në kufi, edhe na çuan në burg".
 
Paskeni vaujtuar shumë, besoj keni hequr tortura?
"Mos ja pyet hallit për të vuajtur. Na morën edhe na futën nëpër biruca. Nuk shikonim gjë. Na merrte në 12 të natës edhe të merrte me shqelma. Ikte njëri dhe të merrte tjetri".
 
Si përfundoi gjyqi juaj?
"Unë bëra 20 vjet, pastaj shkova në Vlorë punova në kënetë. Pastaj shkova në Ballsh, në minerë. Atje hyre dhe mezi dilje. Edhe kemi punuar ç'të të them".
 
Në cilin vit u arrestuat?
"Në '67 andej nga Karzani dhe kështu përfunduam në atë minierë. Atje hyje dhe nuk dilje, sa veta nxirrnim ne që vdisnin, i zinte galeria, temperatura ishte 45 gradë sa të shkrije fare. Miniera e Krrabës, e Spaçit, kromi ai ishte i nxehtë. Kemi vuajtur shumë. Nuk na e mori mendja që do dilnim shëndosh".
 
Në cilin vit dolët?
"Në vitin 1984".
 
Sa vjeç ishit ku dolët nga burgu?
"Nja 45 vjeç, a 50".
 
Këto janë histori që janë mbajtur të fshehura për 45 vjet, pse janë mbajtur të fshehura krimet e diktaturës?
"Po që të mos i dinte populli. Vriteshin edhe njerëz që nuk merreshin vesh. Të merrte natën dhe të nxirrte 30 veta në grup dhe i pushkatonte".
 
Tani ka dalë ligji për hapjen e dosjeve, si e prisni ju këtë ligj?
"Ne e presim me kënaqësi të madhe por nuk po na i hapin sepse ata janë vetë të përfshirë në këtë punë. Dosjet janë gjë e madhe sepse tregojnë krimet që kanë bërë ata dhe ata hetues që na kanë bërë ne ato gjëra".
 
Cilët kanë qenë hetuesit e tu, i mban mend?
"I mbaj mend, Odhise Porodini ka qenë krimineli më i tmerrshëm. Ky ishte shefi i hetuesisë, ka qenë shumë katil njeri".
 
Cili është mesazhi yt për të gjithë këta që kanë shkaktuar krime, çfarë do të dëshiroje sot në një ditë të kujtesës?
"Dëshiroj që dosjet të hapen edhe të dihen se cilët janë njerëzit që kanë bërë këto krime".
 
Krimet e tyre ishin edhe nga urdhrat apo ishin ekzagjerim i vetë personave?
"Nga lart ishin por këta i bënin edhe vetë një pjesë, ata që kishin inat. Kishte edhe inate personale, prandaj po të hapen dosjet dalin të gjitha".
 
Duke kujtuar vuajtjet Nastasi pohon se historia duhet të njihet dhe dosjet për kriminelët dhe torturuesit e diktaturës duhet të hapen.

Redaksia Online
XH.K.AL.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Frrok Çupi: Shkopi metalik i Zyhdit të shpallet ‘Mjeshtër i madh’, është shkopi i ‘historianit’

Frrok Çupi: Shkopi metalik i Zyhdit të shpallet ‘Mjeshtër i madh’, është shkopi i ‘historianit’