Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, zhvilluan të premten në Tokio takimin e tyre të parë të zgjeruar që nga zgjedhja e Takaichit në krye të qeverisë japoneze vjeshtën e 2025-ës.

Gjatë takimit të dy zonjave, New York Times vëreu kiminë mes tyre, mënyrën se si ato iu drejtuan njëra-tjetrës në emër, shkëmbyen buzëqeshje dhe folën për përvojën e tyre si gra që kanë thyer barriera në shoqëri tradicionalisht patriarkale. Në fakt, ato janë dy gratë e vetme në krye të vendeve të G7 dhe drejtojnë parti me prirje konservatore.

Në bisedimet zyrtare, Meloni dhe Takaichi diskutuan për mbrojtjen, tregtinë dhe kulturën, duke u zotuar se do ta çojnë marrëdhënien mes Italisë dhe Japonisë në një nivel më të lartë. Të dyja shprehën synimin për të ndërtuar një “partneritet strategjik të posaçëm”, që përfshin forcimin e lidhjeve në mbrojtje, zgjerimin e zinxhirëve të furnizimit për mineralet kritike dhe bashkëpunimin në eksplorimin hapësinor.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Takaichi përgëzoi Melonin për ditëlindjen e saj, duke i dhuruar edhe suvenire simbolike japoneze. Meloni, nga ana e saj, foli për një ndjenjë miqësie dhe harmonie mes dy lidereve.

Dy kryeministret u njohën më nga afër në nëntor të vitit të kaluar gjatë një takimi të ekonomive më të mëdha të botës në Afrikën e Jugut, një moment që u bë i njohur në Japoni për shkak të afrimit spontan mes tyre.

Si Italia ashtu edhe Japonia përballen me sfida të ngjashme, përfshirë plakjen dhe rënien e popullsisë, si dhe debatet mbi emigracionin. Të dyja udhëheqëset kanë mbajtur qëndrime të ashpra për kontrollin e emigracionit, pavarësisht nevojës për fuqi punëtore të huaj.

Në të njëjtën kohë, Meloni dhe Takaichi po menaxhojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në një kontekst të politikës së jashtme të paparashikueshme nën administratën e Donald Trump. Italia dhe Japonia kanë nisur prej vitesh të reduktojnë varësinë nga programet amerikane të mbrojtjes, përfshirë zhvillimin e një avioni të ri luftarak në bashkëpunim edhe me Britaninë.

Meloni e përshkroi marrëdhënien me homologen japoneze si një miqësi që po forcohet shpejt, duke theksuar se fakti që të dyja janë gratë e para në krye të vendeve të tyre përfaqëson një nder, por edhe një përgjegjësi të madhe përballë qytetarëve të Italisë dhe Japonisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:40
Surpriza pas bisedimeve diplomatike, Meloni feston 49-vjetorin me delegacionin japonez (VIDEO)

Gjatë takimit bilateral në Tokio, delegacioni japonez surprizoi kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, me një tortë për 49-vjetorin e saj, në një moment miqësor që përmbylli bisedimet zyrtare.

Në fund të drekës zyrtare, në sallë u soll një tortë me qirinj, ndërsa delegacioni japonez i këndoi Melonit këngën e ditëlindjes në gjuhën italiane. Pamjet nga momenti u bënë publike më pas, duke treguar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore mes dy kryeministreve.

Gjatë takimit, Meloni iu drejtua homologes japoneze Sanae Takaichit duke e quajtur “mikeshën time më të mirë”. 

"Mund të mbështetesh gjithmonë tek unë për gjithccka që do të kesh nevojë. E di që nuk është e lehtë, por së bashku do ia dalim" mësohet të ketë thënë Meloni. 

Takimi në Tokio  u pa si shenjë e afrimit personal dhe politik mes dy lidereve, të cilat janë edhe dy gratë e vetme aktualisht në krye të vendeve të G7.