Rreth 557 mijë persona të lindur në Shqipëri jetojnë sot në Itali, duke e bërë komunitetin shqiptar të dytin më të madh në vend pas atij rumun.

Sipas të dhënave të Eurostat për strukturën e popullsisë së huaj sipas vendit të lindjes, rreth 416 mijë prej tyre rezultojnë ende me shtetësi shqiptare. Diferenca mes këtyre dy shifrave lidhet me faktin se një pjesë e emigrantëve kanë marrë ndërkohë shtetësinë italiane, që vlerësohet në rreth 141 mijë persona.

Shqiptarët përbëjnë 8.3% të totalit të emigrantëve në Itali dhe mbeten një nga komunitetet më të konsoliduara në tregun e punës dhe në jetën sociale të vendit.

Grupi më i madh i emigrantëve në Itali janë rumunët. Rreth 900 mijë persona të lindur në Rumani jetojnë në Itali, ose 13.5% e totalit.

Nëse krahasohet me popullsinë e vendeve përkatëse, pesha e emigracionit shqiptar është shumë më e lartë. Sipas revistws Monitor, Rumania ka rreth 19 milionë banorë, ndërsa Shqipëria rreth 2.36 milionë, çka do të thotë se komuniteti shqiptar në Itali është disa herë më i madh në raport me popullsinë e vendit të origjinës.

Eurostat nuk publikon të dhëna për Greqinë, ku gjithashtu jeton një numër i madh emigrantësh shqiptarë, që vlerësohet të jetë në të njëjtat nivele, ose edhe më i lartë se në Itali.

Në shkallë europiane, Shqipëria rezulton ndër vendet me emigracionin më të madh në raport me popullsinë. Vlerësohet se rreth një në dy shqiptarë jeton në një vend të Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat, më 1 janar 2024 në vendet e BE-së jetonin rreth 44.7 milionë persona të lindur jashtë unionit, ose 9.9% e popullsisë së përgjithshme. Numri është rritur me rreth 2.3 milionë persona krahasuar me një vit më parë.