Dyfishohen zjarret: 40 vatra në
vend, Turqia dërgon helikopte

Dyfishohen zjarret: 40 vatra në <br />vend, Turqia dërgon helikopte
TIRANE - Shtohet numri i vatrave të zjarrit në vend, që gati janë dyfishuar krahasuar me një ditë më parë. Ndërsa dje u njoftua për 26 vatra zjarri, sot sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme ato kanë arritur në 40 të tilla, shifra që flasin qartë për një përkeqësim të situatës.

Situata më e rëndë mbetet në qarkun e Shkodrës ku ka 9 vatra aktive zjarri, ndërsa rrezikohen edhe disa banesa.

Në qarkun e Dibrës ka 8 vatra zjarri, ndërsa në qarkun e Elbasanit ka 6 vatra zjarri dhe më problematikja mbetet ajo në Krastë, ku një pyll me pisha dhe shkurre është në flakë ndërsa terreni është i vështirë për të ndërhyrë.

Në qarkun e Tiranës ka sërish dy vatra zjarri ashtu si një ditë më parë. Njëra prej tyre është ajo në Qafën e Kërrabës në km e dytë të rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, ku është dëmtuar nga flakët edhe një lokal. Në Korçë ku ka dy vatra zjarri, flakët kanë përfshirë pyllin pranë zonës turistike të Voksopojës, ku era ka favorizuar përhapjen e tyre dhe deri tani është djegur një sipërfaqe prej 6 ha pyje me bimësi të ulët.

Në Berat, ku gjithashtu shënohen 2 vatra zjarri, flakët kanë shkrumbuar një sipërfaqe me ullinj, ndërsa u rrezikuan edhe banesat pranë saj.

Edhe në qarkun e Lezhës zjarret mbeten problematike, aty shënohen 4 vatra zjarri. Ndërkaq në Vlorë zjarret kanë përfshirë edhe malin e Karaburunit, por në një sipërfaqe me kullotë dhe jo në pyje apo pranë zonave të banuara.

Në Kukës ka 5 vatra zjarri, ku shqetësim mbetet ai në Surroj, ku edhe pse po punohet nga forcat e pyjores dhe komuniteti, sërish mbetet e vështirë shuarja e zjarrit dhe për këtë arsye mëngjesin e ditës së nesërme do të ndërhyhet nga ajri me helikopter.

Kjo do të bëhët e mundur pasi ditën e sotme në vendin tonë ka mbërritur në aeroportin e Rinasit nga Turqia helikopteri i tipit “Kamov” për të ndihmuar në kryerjen e operacioneve nga ajri për shuarrjen e zjarreve, në të gjitha ato zona ku është e pamundur të ndërhyhet nga forcat tokësore. Helikoptri i tipit Kamov, ka kapacitet bartës 4 mijë litra ujë dhe pavarësi të madhe të qëndrimit në ajër. Ai mund të fluturojë në lartësi të mëdha dhe të hedhë ujin me saktësi shumë të madhe mbi vatrat e zjarrit.

Sipas një njoftimi zyrtar nga ministria e brendshme helikopetri turk filloi nga dita e sotme operacionet për shuarjen e zjarreve në rrethin e Dibrës, në Lura 1 dhe Lura 2, ndërsa ditën e nesërme do të operohet në qarkun e Shkodrës, kryesisht në rrethin e Pukës si dhe në Kukës.

Sipas Drejtorisë së Shërbimit Civil shkak për shtimin e vatrave të zjarrit është bërë era e fortë si dhe temperaturat e larta.

(jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Historike në Serie A, ndeshja e Interit do gjykohet nga një ekip arbitresh vajza

Historike në Serie A, ndeshja e Interit do gjykohet nga një ekip arbitresh vajza