Prona
Toka “në shënjestër” ka qenë e kategorisë kullotë, ndodhet në brigjet e detit Jon, pak më poshtë se Kanali i Çukës, duke shkuar nga Saranda drejt Ksamilit, por jo nga ana e rrugës nacionale. Më datë 14.06.2006 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë ka marrë një vendim, konfirmuar mëpas edhe nga AKKP Tiranë më 12.09.2007, sipas të cilit “U kthehet trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar Ilmi Dizdari, sipas dëshmisë së trashëgimisë 571 datë 7.11.1996, sipërfaqja prej 69.505 ha, tokë kullotë e ndodhur në Berdenesh, Sarandë, e kufizuar nga Lindja dhe Veriu me pjesën e kullotjes së Teqesë së Zallit; Jugu dhe Perëndimi – Deti”.
Procedura
Ka qenë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, institucioni i parë shtetëror, që ka hapur procesin e njohjes së pronësisë së familjes Dizdari mbi këtë tokë në bregdet. Me vendimin nr.112, datë 23.1.1997, në prag të rrëmujës së “vitit të mbrapshtë”, ajo ka pranuar kërkesën dhe vërtetimin e faktit juridik të ish-pronësisë së Ilmi Dizdarit mbi një sipërfaqe prej 700 stremësh, në bazë të provës – notë e transkriptimit me nr.85 i përgjithshëm dhe nr.94 i transkriptimit, të lëshuar nga hipoteka Delvinë më datë 12.10.1938.
Më pas, Komisioni zonal i Pronave në Vlorë e konsideron edhe një herë të rregullt fotokopjen e transkriptimit të para-Luftës, të cilën noteri Arjan Haxhi, më datë 7.3.1996, e kishte deklaruar si të njejtë me origjinalin
Kundërshtimi
Në vitin 2014, Task Forca për problemet e pronave pranë Kryeministrisë ka zbuluar disa pika të dyshimta në marrjen dhe regjistrimin e pronës në fjalë, duke provokuar në janar 2015 fillimin e një çështjeje civile, me palë paditëse Këshillin e Ministrave, përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit dhe të paditur Agjencinë e Kthimit e Kompensimit të Pronave, bashkë me Hipotekën Sarandë, si dhe gjashtë bashkëpronarë të fisit Dizdari.
Qeveria ka kërkuar goditjen për falsitet të vërtetimit të pronësisë datë 9.2.1996, lëshuar nga ish-Hipoteka Delvinë, vërtetimin e Hipotekës Sarandë, vërtetimin e pronësisë të ish-Hipotekës Delvinë, si dhe notën e transkriptimit të lëshuar më datë 25.9.1940 në favor të qytetarit Ilmi Shyqyri Dizdari. Gjithashtu, shteti kërkon pavlefshmërinë e vendimit që u ka njohur trashëgimtarëve të drejtën e pronësisë, si dhe të gjitha veprimet e mëvonshme që janë kryer me pronën. Në përfundim, kërkohet nga gjykata fshirja e regjistrimit hipotekor të kryer në 10.12.2007 në emër të palëve të paditura dhe njohjen e shtetit si pronar të sipërfaqes në fjalë.
Më datë 14 prill 2015 Gjykata e Sarandës ka marrë vendim për marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke bllokuar çdo veprim mbi këtë pronë nga ana e pronarëve aktualë.
Shkeljet
Në Komisionin e Pronave të Vlorës, vendimi në favor të kërkuesve nuk është marrë njëzëri. Një anëtar i Komisionit në vitin 2006 është shprehur kundër, duke argumentuar se fotokopja e dokumentit hipotekor nuk është origjinale; kufiri jugor i pronës është bërë gabim, duke e cilësuar det, kur në fakt është tokë. Ndërkohë, vendimi binte në kundërshtim edhe me vendime të mëparshme, që ua njihnin të drejtën e pronësisë dy familjeve gjirokastrite. Këto vendime nuk ishin shfuqizuar ndonjëherë dhe kështu Komisioni krijonte përplasje proceduriale.
Pak a shumë këto vërejtje i ka patur edhe Agjencia qendrore e Pronave, departamenti i Kontrollit të brendshëm administriv dhe antikorrupsion i të cilës është shprehur dyshues për vërtetësinë e dokumentit të vitit 1997 të Gjykatës Sarandë, notën e transkriptimit, kufirin jugor të pronës dhe vendimet e mëparshme. Megjithatë, AKKP la në fuqi vendimin e diskutueshëm të Vlorës.
Prokuroria e Vlorës është vënë në dijeni të vërejtjeve dhe dyshimeve nga ana e departamentit të AKKP-së. Është tentuar të bëhet verifikimi i origjinalitetit të vendimit të Gjykatës Sarandë, pasi arkiva e saj u dogj në vitin 1997, si edhe e nje dokumenti trashëgimie. Por gjithshka është pushuar, pasi për veprën e falsifikimit ishte tejkaluar afati i parashkrimit dhe nuk mund të hetohej më tej.
Gjetjet
Avokatura e Shtetit, pas kontaktit me Arkivin Qendror, ka marrë përgjigje se nuk ka asnjë dokument që të provojë se në pronësi të Myrteza ose Ilmi Dizdarit të ketë qenë ndonjë kullotë në Berdenesh, Sarandë. Nisur edhe nga kjo, janë konstatuar një numër veprimesh të dyshimta, që përforcojnë mendimim që pronësia është fituar nëpërmjet dokumentave të falsifikuar.
Konkretisht. Avokatura mendon se dokumenti i vendimit të gjykatës është fals. Vendimi nr.112 i vitit 1997 ekziston në indeks, por i takon Niko Mukës (vetë dosjet janë djegur në trazirat). Ndërkohë, nuk mund të jetë dhënë në janar vendim me nr.112, kur vendimet e mëparshme, psh 100, apo 103, si dhe ai me nr.114 janë të muajit shkurt 1997.
Po kështu, vendimet për pronën janë bazuar në një notë transkriptimi të vitit 1940. Kjo notë origjinale nuk gjendet, por konfirmimi i origjinalitetit të saj nr.2280, datë 11.12.1996, nga noteri është fals. Kjo, pasi në atë edatë nga ish-noteri Artan Lulaj nuk është kryer asnjë veprim, ndërkohë që me atë numër rezulton një kontratë shit-blerjeje me blerës Sofokli Llesho.
Nuk ka mundësi që i njejti regjistër, ku është regjistruar prona, të ndodhet njëkohësisht në dy hipoteka të ndryshme: edhe Delvinë, edhe Sarandë. Gjyqi për këtë pronë ende vazhdon midis shtetit që pretendon të rikthejë pronën dhe fisit Dizdari që mendon ta ruajë atë.
dy.b/shqiptarja.com