Shfaqen dyshime të forta për aktet e ekspertimit të kryera nga ekspertët e Policisë së Sarandës, për vrasjen e Pajtim Shehut, 21 muaj më parë në fshatin Shkallë të Bashkisë së Konispolit. Report TV, nisur nga pretendimet e palës së akuzuar në këtë ngjarje, ka shkuar në vendin e ngjarjes, për të parë nga afër dhe njohur me vendin e krimit dhe provat që janë paraqitur gjykatës së Sarandës. I dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit të Sarandës, është Ajet Rexhepi, banor i këtij fshati, i cili është në pritje të vendimit të Apelit të Gjirokastrës.

Vetë i dënuari me 25 vjet burg nga shkalla e parë, nuk ka pranuar autorësinë e krimit. Mirëpo insistimi për të zbuluar të vërtetën e ngjarjes së bujshme në këtë fshat më 13 prill të vitit 2016, është bazuar në disa prova që Policia Gjyqësore e Sarandës, duket se nuk i ka marrë për bazë apo injoruar.

Një prej provave janë pamjet filmike të regjistruara nga një kamera e instaluar në një lokal përbri rrugës kryesore të këtij fshati ku sipër saj ndodhet banesa e të akuzuarit për vrasje dhe teksa i dënuari me 25 vjet burg, duket qartë teksa kalon pranë këtij lokali në drejtim të lokalit të tij që ndodhet ngjitur dhe kjo ka ndodhur pesë minuta pas krisjes së armës së zjarrit në vendin e ngjarjes që shkaktoi vdekjen e Pajtim Shehut.

Prova tjetër janë dyshimet e veprimeve proceduriale të kryera pasi akti i ekspertëve mjeko-ligjor dhe ai i ekspertit kriminalistik, kanë kontradikta. Kjo sepse akti i ekspertimit mjeko-ligjor thotë se viktima është qëlluar nga një distancë e afërt, ndërsa akti i kryer nga ekspertët e Policisë Kriminale, pranojnë se viktima Pajtim Shehu, është qëlluar në një distancë 32.5 metër Avokati i palës së akuzuar Fran Dashi tha se studiuar edhe një herë vendi i krimit dhe provat.

“Që të ringrihet një grup ekspertësh, së bashku me Prokurorinë, me policinë dhe me gjykatën, dhe të sillen këtu te vendi i krimit dhe të shihet me sy të lirë, se po të shikohet me sy të lirë vendi ku është ekzekutuar me vendim që policia dhe prokuroria marrin si pikë referimi ku ka ndodhur personi që ka qëlluar viktimën, kjo është një distancë shumë e largët”, deklaroi avokati Dashi.

Më datën 20 dhjetor pritet të organizohet séance e radhës në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër. Disa herë seancat janë shtyrë për arsye ende të paqarta.

d.c./shqiptarja.com