Dyshimet nuk mjaftojnë

Dyshimet nuk mjaftojnë
Përsëri Partia Socialiste gjendet nën presion. Vizita e trojkës së ambasadorëve të hënën në zyrën e Ramës, pritej të ishte një takim miqësor, ku të konfirmohej votimi i 6 gushtit. Kreu i socialistëve u bë iniciatori i nismës për heqjen e imunitetit në maj, ndaj vota e socialistëve ishte e deklaruar. Pas 10 ditësh nga paraqitja e projekt-amendamenteve kushtetuese të maxhorancës, priteshin vetëm vërejtjet e opozitës, ose ndonjë projekt alternativ, si ai i LSI për të arritur në një votim konsensual në datën e përcaktuar unanimisht. Por nuk ishte kështu. Takimi i Ramës me miqtë e huaj ishte i tensionuar dhe pa rezultat. Papritur gjithçka kishte ndryshuar, 6 gushti nuk e kishte më konsensusin e PS. Dalja e Ruçit me 5 pikat, i dha të drejtë qëndrimit të ambasadorëve të zhgënjyer. Në 6 gusht do të kenë legjitimitetin ta shprehin hapur zhgënjimin e paralajmëruar ndaj Ramës.

Megjithëse raportet e kryetarit të Partisë Socialiste me ndërkombëtarët kanë qenë në përgjithësi të tensionuara, e drejta ka mbetur në mes. Nuk ka qenë prioriteti i Ramës të kënaqë ambasadorët dhe vendet apo institucionet që ata përfaqësojnë dhe kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja kryesore, përse të drejtat e partisë së tij nuk kanë qenë prioritet i amdasadorëve dhe vendeve apo institucioneve që përfaqësojnë. Kjo është një zgjedhje e lirë përderisa nuk ndikon në fatin e vendit. Rasti konkret ndryshon. Qëndrimi dhe votimi i opozitës është vendimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat, ndaj qëndrimi i ambasadorëve duket më i favorshëm se ai i Ramës.

Partia Socialiste gjendet shpesh e bllokuar përballë iniciativave të Berishës. Kryeministri e di këtë dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ndërmori njëanshmërisht nismën e imunitetit. Pasi e ka rrethuar opozitën me gjykata, me shërbimin informative personal dhe me akuza që prekin jetën private, pasi po pret i sigurtë marrjen në dorë të të gjitha institucioneve, Berisha e lëshon si kërcënim dhe jo si pajtim projektin më të rëndësishëm, ndryshimin e Kushtetutës. Reagimi i matur i opozitës nuk stonoi në këtë atmosferë, por shndërrimi i maturisë në frikë duket i tepruar.

Përgjimi i opozitës ishte argumenti kryesor i Ramës. Mund të jetë ashtu. Dyshimet e opozitës kanë baza faktesh, por frika nuk ka bazë. Deputetët socialistë janë përballur me gjyqe, nën akuzën për shpifje, kanë humbur dhe duhet të paguajnë miliona dëmshprblim për deputetët e maxhorancës apo familjarët e Berishës. Nesër ata mund të ndiqen përnalisht, mund të përndiqen politikisht apo edhe të burgosen për luftën politike që bëjnë në parlament. Por kjo është ende një hipotezë. Nëse Berisha e bën gjithçka për këtë qëllim atëherë i duhet dhënë mundësia ta bëjë, nëse kërkon ta shfrytëzojë këtë rast vendimtar për vendin, për të përndjekur politikisht opozitën, do të merret vesh vetëm pasi të votohet heqja e imunitetit. Deri tani opozita ka vetëm dyshime dhe dyshimet nuk mjaftojnë për të bllokuar një reformë vendimtare. Dhe nëse do të kenë deputetë të opozitës që do të përndiqen ata do të jenë prova kundër Berishës, ata do të jenë prova që mungon dhe do të mungojë përsa kohë nuk votohet heqja e imunitetit. Deputetët e opozitës nuk mund të mendojnë për fatin e tyre hipotetik përballë mundësisë që opozita të humbasë besueshmërinë.

Sot mbi qeverinë rëndojnë qindra akuza për shkelje të Kushtetutës, të ligjin dhe sidomos për korrupsion. Tenderi i llotarisë kombëtare, privatizimi i albpetrolit, trafiku i armëve, përgjimet e opozitës, privatizimi i konviktit të shkollës së mesme gjuhëve të huaja, zgjerimi pa projekt dhe pa leje i rrugës së Elbasanit etj, janë abuzime të mundshme të Qeverisë. Këto janë vetëm të muajit të fundit se lista e plotë e mandatit të dytë është shumë e gjatë. Në këtë rrebesh akuzash dhe faktesh, kryeministri deklaron: “të mos e votosh heqjen e imunitetit domethënë që ke dorë, u thua shqiptarëve unë kam dorë”. Është rast unik që menaxheri i keq i Buxhetit të Shtetit dhe pasurive kombëtare prej 7 vjetësh, të deklarojë se korrupsionin po e bën opozita. Kjo është një tjetër arsye përse Partia Socialiste nuk mund të bëhet pengesë për votimin në 6 gusht të heqjes së imunitetit.

Partia më e madhe e opozitës, u njoh përpara 10 ditësh me draftin e maxhorancës. Vetëm të hënën në darkë kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruci iu drejtua zyrtarisht maxhorancës me një propozim. Jo propozim konkret, por propozim për një proces që do të çojë në një draft dhe që në shtator do të miratohet. Vonesa, propozimi për një proçes abstrakt dhe ndryshimi i beftë i qëndrimit, pasi ka votuar pro datave të publikuara tashmë nga Kuvendi, e dëmtojnë imazhin e opozitës. Tërheqja deri në frikë nga heqja e imunitetit e dëmton akoma më shumë. Bllokimi dhe mosbashkëpunimi me ndërkombëtarët janë një mesazh dekurajues për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kosto shumë e lartë për t’u justifikuar vetëm me dyshime.

(ea/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Gonzato mesazh medias: Informoni bazuar mbi fakte e të vërteta! BE-në e keni në krah

Gonzato mesazh medias: Informoni bazuar mbi fakte e të vërteta! BE-në e keni në krah