TIRANE- Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë Kastriot Selita nuk i ka mbyllur hesapet me drejtësinë. Pasi kaloi shkallën e parë, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar Komisionerit Publik ankimimin e vendimit.
Në seancën dëgjimore në datë 13 qershor, vendimi i dhënë në favor të Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes së PS-së Ermonela Felaj, lidhur me padinë e ngritur nga ky i fundit kundër Presidentit të Republikës dhe shqyrtimi i çështjeve ku palë ka qenë Drejtoria e Tatimeve ku punonte bashkëshortja, u ngritën si dyshime nga KPK gjatë seancës dëgjimore ndaj Kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kastriot Selita.
Por, pas shqyrtimit të dosjes në fund komisioni i vettingut vendosi që ta konfirmojë në detyrë Selitën. Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra, që nuk u bind te pastërtia e Selitës duke kërkuar ankimimin e vendimit.
Njoftimi i plotë
Në datë 18.6.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita, gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Vendimi nr. 161, datë 18.6.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë z. Kastriot Selita, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 24.7.2019.
Po sot, më datë 24.7.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Zot ca surrati...turp!!!
Përgjigju