Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun 43 vjeç dhe Klaudio Lisajn 20 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka.

Prokurori Albert Murçaj, drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, kërkoi masën më të rëndë të sigurisë, duke theksuar se ekzistojnë përgjime ambientale, një pjesë e të cilave vijojnë të jenë sekret hetimor, dhe që sipas tij përbëjnë bazë të fortë për dyshimet ndaj tyre.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës Arbër Raja dhe Blerim Bazhdari kërkuan që ndaj Koçekut dhe Lisajt të mos vendosej asnjë masë sigurie, duke argumentuar se mungojnë prova konkrete që i lidhin drejtpërdrejt me vrasjen e Pavlin Prekës.

Të dy të dyshuarit kanë mohuar në mënyrë të përsëritur autorsinë e krimit, si gjatë marrjes në pyetje nga policia, ashtu edhe gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë.

Ata kanë deklaruar se nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen. Mohime të njëjta janë bërë edhe në ditët e para pas krimit kur policia i mori në pyetje këta dy shtetas, por edhe tani, rreth 10 muaj pas ngjarjes.

Koçeku dhe Lisaj dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ata u arrestuan më 21 dhjetor në kuadër të operacionit policor të koduar “Pesha e Krimit”.

Sipas hetimeve, Lisaj, i cili rezulton të ketë qenë shok i ngushtë i viktimës, dyshohet se ka luajtur rol vendimtar në ngjarje, duke e nxjerrë Pavlin Prekën në pritë. Ndërkohë, Vasel Koçeku, i afërm i tij, dyshohet se është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes.

Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Pas ngjarjes, xhaxhai i viktimës deklaroi publikisht se Pavlin Preka nuk kishte konflikte të njohura, duke theksuar se i riu jetonte mes Shkodrës dhe Dukagjinit.