Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 4 protestuesit e që morën pjesë në tubimin e thirrur nga Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ dhe kryetari i saj Adriatik Lapaj.
Burime për Report TV bëjnë me dije se janë liruar nga qelitë shtetasit Edison Haklaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima dhe Ergjys Llanaj.
Po ashtu bëhet e ditur se ndaj tyre u caktua masa “detyrim paraqitje”. Kujtojmë se edhe 6 protestues të tjerë, që morën pjesë në tubimin e thirrur nga Lapaj, janë proceduar penalisht.
Protestuesit në fjalë u arrestuan pas përplasjeve me policinë, pas dyshimeve se hodhën sende të forta në drejtim të efektivëve.
Ndërkohë avokati mbrojtës i 4 protestuesve e cilësoi vendimin e gjykatës si të drejtë, pasi sipas tij, ata nuk kanë përdorur asnjë lloj dhune ndaj punonjësve të policisë, por kanë ushtruar vetëm të drejtën e protestës.
“Siç jeni në dijeni, prej 3 ditësh 4 protestues u arrestuan nga Policia në mënyrë të padrejtë dhe këtë e tha sot Gjykata e Tiranës, që e cilësoi të paligjshëm arrestimin në flagrancë dhe i kërkoi prokurorisë që të zbardhë të gjithë këtë dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit. Ne bëmë mbrojtjen ku i vërtetuam gjykatës se po e ushtronim të drejtën e protestës në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë lloj dhune nga ana jonë. Kjo vërtetohet edhe nga pamjet filmike, ku në atë protestë Policia nuk ka qëndruar fare përballë protestuesve, por ka ndërhyrë pasi janë vendosur dy çadra për instalacion”, tha mes të tjerash avokati mbrojtës i protestuesve për mediat.
Komente







