TIRANË- Dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se veprojnë kundër interesave të shtetit shqiptarë, janë shpallur “non grata”, me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Imami Bekir Halimi dhe analisti e ish-politikani, Valon (Valjon) Bela, ndalohen të hyjnë ose të kalojnë tranzit në vendin tonë për një periudhë 10-vjeçare, e cila përfundon në vitin 2036.

Të dy shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dyshohet se zhvilluan veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Shqipërisë. Sipas burimeve, propozimi për shpalljen e tyre të padëshiruar u bë fillimisht nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, e cila grumbulloi informacion të veprimtarisë së tyre. Më pas erdhi firma e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari.

Në një deklaratë për mediat, ministri Lamallari bëri me dije se vendimi është marrë më 17 korrik në mbrojtje të interesit kombëtar.

Vendimi është mbështetur në nenin 104 të ligjit "Për të Huajt", i cili i jep ministrit kompetencën për të shpallur person të padëshiruar çdo shtetas të huaj që, për interesa të rëndësishme të shtetit, vepron ose propagandon kundër sovranitetit, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit publik, apo që lidhet me organizata terroriste ose mbështet veprimtari kundër shtetit ligjor. Urdhri i ministrit Lamallari u është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare, të cilat do të garantojnë ndalimin e hyrjes së tyre në Shqipëri.

Bekir Halimi është një imam i njohur në Maqedoninë e Veriut, me xhami në Shkup, i cili në vitin 2016 u përjashtua nga Bashkësia Fetare Islame pas përplasjeve me drejtuesit e institucionit. Ndërsa Valon Belja është analist politik dhe ish-aktivist, i njohur për komentet mbi zhvillimet politike në rajon. Ai ka mbajtur më herët poste të ndryshme në nivele të mesme politike në Maqedoninë e Veriut. Në një reagim në rrjetet sociale, Belja shkruajti se ky vendim i Ramës u dha në sinkron të plotë me Vuçic.

Mbetet e paqartë se për çfarë veprimtarie konkrete dy shqiptarët e Maqedonisë janë shpallur “non grata”. Ky është rasti i dytë brenda pak më shumë se një muaji kur Ministria e Brendshme përdor mekanizmin ligjor të shpalljes "non grata" për arsye të sigurisë kombëtare. Më 25 qershor, Ministria e Brendshme shpalli person non grata edhe Ikballe Huduti, një shtetase nga Kosova, e lidhur ngushtë më regjimin iranian. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, shteti shqiptar ia ka ndaluar Haudutit hyrjen në territorin shqiptar për 15 vite. Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri, ndërsa para shpalljes non grata kishte postuar edhe foto e video teksa merrte pjesë në protestën para Kryeministrisë në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:49
Shqipëria e shpalli non-grata, Imami nga Maqedonia e Veriut flet në rrjete sociale: Padrejtësi por kështu e ka jeta! (VIDEO)

Shpalljen non grata nga autoritetet shqiptare, imami Bekir Halimi e cilëson një padrejtësi. Në reagimin e tij të parë publik pas vendimit, ai thotë se ka marrë dhjetëra mesazhe mbështetjeje dhe se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi.

"Sot gjithë ditën pasi doli lajmi i shpalljes non-grata të emrit tim, kisha telefonata të shumta nga shumë miq, dashamirë, intelektualë, gazetarë e biznesmenë të brengosur nga ky vendim. Unë falënderoj të gjithë ata që më kanë thirrë e më kan shkruar e juu them Allahu ju shpërbleftë, ju mëshiroftë e ju gëzoftë. Është mërzi kur të bëhet padrejtësi sidomos atyre personave që ia kanë kushtuar jetën ngritjes së vetëdijes fetare tek populli ynë dhe kontributit patriotik për zhvillimin tonë kombëtar. Kështu e ka jeta. Ne do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e të luftojmë padrejtësitë e do të mundohemi të kontribuojmë vazhdimisht për të ndërtuar shtete të drejta e funksionale ku ccdo qytetar do ndihet i nderuar dhe i privilegjuar me të drejta të garantuar dhe mirëqenie ekonomike, me një jetë të rehatshme ku dëshmojmë atdhedashuri e patriotizëm, duke i edukuar fëmijët me fe dhe nder që të vazhdojnë të kontribuojnë për ti bërë shtetet tona më të mira e më të përparuara. Të mos lejojmë ta braktisin këtë vend të rinjtë tanë. Ishalla sa më shpejt korrigjohet kjo padrejtësi e gabim” tha Halimi

Ministria e Brendshme shpalli të martën non grata Bekir Halimin dhe analistin Valon Bela, duke u ndaluar hyrjen në Shqipëri për 10 vjet, pas informacioneve të strukturave të Antiterrorit se veprimtaria e tyre përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ora 16:34
Non grata nga Shqipëria, video që publikonte Valon Bela me një top artilerie: Edi Rama më prit!

Analisti dhe ish-politikani Valon Bela u shpall non grata me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, pasi dyshohet për veprimtari armiqësore ndaj Shqipërisë.

Në një postim të datës 1 gusht në rrjetin social Facebook, Valon Bela ka publikuar një video ku dallohet një makinë që tërheq një ‘top artilerie’ me mbishkrimin “Edi Rama më prit”.

Por duhet theksuar se vendimi për futjen e tij në listën e personave të padëshiruar është marrë para publikimit të kësaj video, por urdhri i Lamallarit nuk ishte bërë publik deri më tani.

Ora 14:16
U shpall non grata, Valon Bela: Vendim i marrë në sinkron nga Rama dhe Vuçiç

1785846068_valonbela.jpeg

Analisti Valon Bela ka reaguar pasi u shpall non grata me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Ai thotë se vendimi është marrë në sinkron të plotë nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Fillimisht faleminderit miqve e dashamirëve që më informuat dhe që më jepni mbështetjen tuaj. Ja reagimi im me rastin e shpalljes sime 'i padëshiruar' për Qeverinë e Edi Ramoviçit, vëllaut siamez të Vuçiç. Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë "non grata" historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall "non grata", por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.

Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata "brenda" dhe "jashtë" kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.

Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.

Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e padëshiruarve. Kjo flet shumë”, shkruan Valon Bela.