Një faturë administrative prej vetëm 16.588 denarësh, rreth 270 euro, mund të ketë qenë hallka që mungoi për të shmangur një nga krizat më të mëdha të ujit të pijshëm në Gostivar. Mediat në Maqedoninë e Veriut raportojnë se mospagesa e kësaj shume la të bllokuar për gati dy vite procedurën për funksionalizimin e plotë të sistemit të ri të ujësjellësit, ndërsa pasojat u panë këtë muaj, kur mbi 5 mijë persona u helmuan nga uji i ndotur.
Sipas Meta.mk, dokumentet e komunikimit mes ndërmarrja publike tw ujësjellësit në Gostivar, NP "Komunalec" dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore tregojnë se komuna kishte dorëzuar kërkesën për miratim në vitin 2024, por procedura nuk përparoi pasi nuk u pagua fatura prej 16.588 denarësh që ishte lëshuar nga ndërmarrja shtetërore.
Nga "Komunalec" thanë se për ta bërë plotësisht funksional sistemin e ri të ujësjellësit duhej të përfundonin edhe rreth 600 metra të trasesë, punime që nuk mund të realizoheshin pa miratimin e Rrugëve Shtetërore.
Nga ana tjetër, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore konfirmoi se miratimi nuk u dha për shkak të mospagesës së faturës. Sipas saj, në një procedurë tjetër komuna nuk kishte dorëzuar as dokumentacionin teknik të nevojshëm për marrjen e lejes. Institucioni shtoi se, që nga fillimi i këtij viti, kur procedurat kryhen në mënyrë elektronike, nuk ka marrë asnjë kërkesë të re nga Komuna e Gostivarit për këtë çështje.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe në opinionin publik. Mikrobiologu Nikolla Panovski shkroi në Facebook se është e pabesueshme që një projekt me vlerë 7 milionë euro të mbetej i bllokuar për shkak të një pagese prej rreth 250 eurosh.
“Për 250 euro burokratike vuan një qytet i tërë. Epidemia mund të ishte shmangur dhe Gostivari do të kishte ujë të pastër me presion”, shkroi ai.
Kriza e ujit në Gostivar shpërtheu më 17 korrik, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit të pijshëm pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të ankesave të qytetarëve për probleme me stomakun.
Pak ditë më vonë u arrestuan drejtoresha e NP "Komunalec" dhe dy punonjës të tjerë. Ata dyshohen se kishin urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë sistemit të ujit të pijshëm për të testuar presionin, veprim që sipas hetimit çoi në ndotjen e rrjetit.
Rezultatet laboratorike, të publikuara nga Prokuroria pas insistimit të gazetarëve, treguan nivele shumë të larta të baktereve koliforme dhe ndotje fekale të ujit të pijshëm. Autoritetet deklaruan se uji nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim, ndërsa qindra banorë vazhdojnë t'u drejtohen çdo ditë qendrave shëndetësore për shkak të problemeve me stomakun.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se në Gostivar është siguruar ujë për përdorim, ndërsa rikthimi i furnizimit normal me ujë të pijshëm do të kërkojë më shumë kohë.
Komente









