LEZHË- Një vrasje e planifikuar deri në detaje dyshohet se është parandaluar nga Policia e Lezhës, e cila ka arrestuar tre persona. Prej disa ditësh, ata mbaheshin nën vëzhgim nga blutë e Lezhës, pasi dyshohej se po përgatiteshin për eliminimin e një personi, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Dy prej të dyshuarve, Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin, të armatosur dhe me skafandra në kokë, lëviznin me një motor në rrugën e vjetër Pllanë-Lezhë, ku sipas policisë kishin planifikuar të kryenin vrasjen. Siç shuhet edhe në pamje, dy të rinjtë janë filmuar teksa lëviznin me motor, i cili rezultoi i vjedhur në Suedi.
Ndërkohë, 25-vjeçari Elden Tarja do t'i ndihmonte të largoheshin nga zona me një automjet. Pas informacioneve për lëvizjet e dyshimta të personave me skafandra, policia nisi kontrollet përgjatë rrugës së vjetër Pllanë-Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës.
Në segmentin Gjadër-Barbullush, efektivët ndaluan një automjet tip “Volkswagen”, ku udhëtonin të tre të dyshuarit, dy prej të cilëve ishin konstatuar më parë duke lëvizur me motor.
Hetuesit kanë dyshime të forta se personat e arrestuar mund të jenë përfshirë edhe në atentatin e ndodhur në Sarandë, ku u eliminua Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani i Rruzhdiut”.
Ndërkohë, kontrollet vijojnë në disa qytete, përfshirë Shkodrën, Laçin dhe Kamzën.
Finalizohet operacioni i koduar “Detajet”.
Vihen në pranga 3 shtetas, të cilët, në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin vrasjen.
2 prej tyre, të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin.
Shtetasi tjetër, bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar që të largoheshin me automjet nga zona ku kishin planifikuar të kryenin vrasjen.
Sekuestrohen 3 armë zjarri (pistoleta), si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast.
Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).
Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.
Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit, me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajm në përditësim.....

Report Tv ka siguruar foton e 38-vjeçarit Vinçesk Piroli, i cili u arrestua nga Policia e Lezhës pasi kishte planifikuar një atentat. Ai rezulton një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi më herët është akuzuar për një vrasje në Mal të Zi. Ndërkohë, në janar të 2022-shit ai vetë ka qenë shënjestër e një atentati në Shkodër.










Komente
Komento