Ministrja për Marëdhëniet për Parlamentin, Elisa Spiropali do të padisë për shpifje Partinë Demokratike pas akuzave nga kjo forcë politike për tënderat e përfituar nga vëllai i saj. Ajo tha se paratë që do të përfitojë nga dëmshpërblimi do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës.

Akuzat i artikuloi në një konferencë për mediat deputetja Jorida Tabaku, por Spiropali thotë se gjithcka është bërë me porosi nga ish-kryeministri Berisha.

"E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza te Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin! Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me boje. Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta. Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjës", përfundoi Spiropali.