Radiot, televizionet, hotelet, motelet, vendet ku konsumohen ushqime apo pije, qendrat tregtare apo aktivitete të tjera biznesi, mjetet e transportit dhe terminalet e udhëtarëve, si dhe mjediset kulturore si muze, kinema, ekspozita apo mjediset sportive; të gjithë do të paguajnë për Sportelin Unik- përfaqësuesin e Agjencive për të drejtat e Autorit-sipas vendimit të miratuar nga Ministria e Kulturës, një tarifë për çdo vepër autori, muzikë, film, libër dhe më gjerë.

Është i drejtë fakti që çdo subjekt përdorues ka detyrimin të paguajë tarifat për të drejtën e autorit, ashtu siç funksionon edhe në të gjithë botën, por mënyra si do ndodh në Shqipëri, lë vend për keqkuptime, si dhe ngre një sërë problematikash. Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit i bën tarifat një për të gjithë, duke e cilësuar këtë metodologji transparente.

A është e tillë kur nëse një televizion përdor vetëm një sigël muzikore gjatë programacionit ditor, është i detyruar të paguajë 1% të të ardhurave bruto vjetore, të njëjtën pagesë me një tjetër televizion që e shfrytëzon maksimalisht pra deri në 10%, kohëzgjatjen e përcaktuar?

Përpos njësimit të tarifave, a janë shpërblyer në mënyrë të drejtë krijuesit, interpretuesit dhe prodhuesit e veprave të mbrojtura nga ligji i të drejtës së autorit në Shqipëri? 

Shqiptarja.com
ka kontaktuar disa nga artistët që përfitojnë nga ky vendim për të mësuar nëse janë paguar nga ‘organizatat jofitimprurëse’ për të ardhurat që këto Agjenci kanë marrë deri më tani nga subjektet përdoruese, të cilat së fundmi, e kanë parë të arsyetueshme ndryshimin e dy pikave të ligjit, atë të  njësimit të tarifave dhe marrjen e të ardhurave vetëm nga një subjekt për mbledhjen e të ardhurave.

Reagimet e artistëve
Aktorja Elvira Diamanti, e cila njihet për rolin e Marigosë tek filmi “Përrallë nga e Kaluara” dhe shumë filma të tjerë, tregon se pas interesimit të Shqiptarja.com, po mëson se në Shqipëri mbrohen të drejtat e autorit, dhe ka Agjenci që faturojnë subjektet përdoruese në emër të tyre. “Asnjëherë nuk kam marrë”, u shpreh aktorja Diamanti.

Megjithatë ajo shpjegon se që në fillim Qendra Kombëtare e Kinematografisë ruan materialet e veprave kinematografike të tyre, dhe me këto çështje merren në të shumtën e rasteve vetë ata, edhe pse aktorja nuk është në dijeni nëse Agjencia ka marrë të ardhura, edhe në emër të ekzekutuesve të filmave.

Ndërsa, aktori Bujar Asqeriu rrëfen se kjo çështje për artistët ka qenë gjithmonë problematike, dhe në mbështetje të një organizate  me në krye Robert Ndrenikën kanë ngritur zërin, madje kanë zhvilluar një takim tek Teatri i Operës dhe Baletit, por asnjëherë nuk morën një përgjigje, dhe aq më pak të jenë paguar. “Të vetmit që janë paguar nga bisedat që unë kam pasur me miqtë e mi artistë janë regjisori, skenaristi dhe kompozitori”, tregon aktori i mirënjohur. I pyetur se sa mund të jenë paguar, Asqeriu përgjigjet “nga bisedat që unë kam bërë, ata janë të pakënaqur. Është një shifër qesharake!”.

Kompozitori dhe këngëtari Kozma Dushi, tregon se “kam marrë vetëm 82 mijë lekë të vjetra për këngët e mia! Por këngët e mia transmetohen  tek RTSH, vizioni, në televizione...”. Ndërsa, në lidhje me procedurën e marrjes së parave, Kozmai rrëfen se mblidhen artistët dhe paguhen kur ju vjen rradha (favorizohen ata që kanë më shumë repertor), por nuk ka një material që u tregohet për sa u përket transmetimeve të veprave të tyre. ‘Kaq ju takon’, është shprehja e punonjësve të Agjencive, që mirëkuptohet nga artistët shqiptarë.

Kurse kantautori Luan Zhegu, tregon për Shqiptarja.com se nuk është organizuar asnjë mbledhje këto muajt e fundit për konsultimin mbi vendimin e propozuar nga Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit, si dhe nuk dëgjohet shumë zëri i Agjencisë të krijuar nga vetë artistët. Kjo është edhe pikëpyetja më e madhe: Ku shkojnë këto të ardhura që merren nga subjektet përdoruese, kur artistët paguhen me shifra qesharake, dhe mbi të gjitha nuk iu dëgjohet zëri?

Dhe si funksionon për veprat e artistëve që kanë ndërruar jetë? Nëse është kaq e vështirë për të ndarë të ardhurat me një të gjallë, atëherë si është mundësuar kontakti me një të afërm të një artisti që nuk jeton më?

tarifat artistet
 
Redaksia Online
D.TShqiptarja.com