Pas ndeshjesh së futbollit zhvilluar rreth dy javë më parë në stadiumin ‘Partizani’ të Beogradit midis Serbisë dhe Shqipërisë, si edhe pas vendimit të Komisionit të Displinës së UEFA – s, që ndëshkoi “viktimën” e sjelljeve të paprecedent nga shkallët e atij stadiumi, sigurisht që do të pasoheshin edhe nga protesta kundër formave të racizmit të ushtruara ndaj shqiptarëve. Pra, nga protesta të organizuara në sheshe e mjedise të ndryshme të Tiranës dhe të Evropës, në mjaft media dhe rrjete sociale, në mbajtje të disa banderolave etj, veç të tjerash, edhe kundër një thirrjeje drithëruese të tifozëve serbë për të vrarë jo vetëm lojtarët e skuadrës kundërshtare në fushë, por edhe një popull të tërë si shqiptarët.

Ky është një fakt që, krahas pritjes së publikimit të arsyetimit të vendimit të një organizmi të shkallës së parë në UEFA, për të përgatitur apelimin nga Pala humbëse, ende nuk mund të bjerret dhe të mos shqetësojë shqiptarët kudo që jetojnë. Madje, edhe ata që punojnë e jetojnë brenda kufijve të Republikës së Serbisë, si në komunat e Luginës së Preshevës ku shumica etnike mbetet e diskriminuar vazhdimisht dhe në disa drejtime, si edhe në Novi Sad ku iu dogjën banorëve të një kombësie tjetër nga ajo e serbëve dhe e hungarezëve furrat apo lokalet që kanë ngritur për të nxjerrë bukën e gojës. Pa folur më tej për aktet rrugaçërore të ca të rinjve në Podgoricë, ku u guxuan edhe të dhunohet ndërtesa e Ambasadës së Repubblikës së Shqipërisë në Mal të Zi.

     Në këtë klimë të trazuar, qoftë edhe përkohësisht apo momentalisht, ndërmjet kombeve dhe shteteve fqinje, një pyetje që shtrohet në vazhdë të këtyre protestave është edhe kjo: A kanë të drejtë shqiptarët të shprehen me zë kaq të lartë e të fortë ndaj ushtimave raciste në një ndeshje futbolli, kur dihet që këto janë lojra tepër emocionuese, dhe në këtë kuptim mund të konsiderohen si detaje rastësore dhe të veçuara? Përgjigjet e kësaj pyetjeje, tani ndahen dhe jepen me tone të ndryshme.

Por, sidoqoftë, askush nuk mund ta mohojë që krimet kundër njerëzimit dhe genocidi i ushtruar në vendet e ish – Jugosllavisë, veçanërisht nga Serbia kanë qenë permanente dhe ndër format më të rënda të veprave me karakter diskriminues, të cilat e kanë pasur burimin te kërkesat e grupeve shoqërore të caktuara për të dominuar mbi të tjerët, më së shumti mbështetur në teoritë raciste me bazë natyrore, biologjike, antropologjike etj. Mirëpo, edhe pse ka kaluar shumë kohë nga zhvillimi i luftrave në Ballkanin Perëndimor, mbeturinat e tyre vijojnë të riciklohen, duke u materializuar në forma apo figura të reja veprash penale raciste, ndaj të cilave ka vënë sanksione kuadri ligjor ndërkombëtar, që ka gjetur shprehje edhe në legjislacionet e brendshme.

Le të kujtojmë që vetëm pak javë pas përfundimit të Luftës II Botërore, në San Francisko të SHBA u nënshkrua Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe, vetëm dy vjet e gjysmë më pas, Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi me rezolutën 217A Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, duke njohur ndër ‘to të drejtën e jetës, të barazisë para ligjit, të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, të gëzimit paqësisht të pronës etj.

Duke pasur parasysh Deklaratën e mësipërme, Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës nënshkrua më 4 Nëntor 1950 në Romë, vetëm pak kohë pas krijimit të këtij organizmi, Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, teksti i së cilës u plotësua gjatë disa dekadave rresht me 14 Protokolle shtesë. Më pas, të drejtat e njeriut u përfshinë edhe në Traktatin e Bashkimit Evropian, në nenin 2 të të cilit thuhet, se Ky “bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, të lirisë, demokracisë, të barazisë, të shtetit të së drejtës dhe në respektimin e të drejtave njerëzore, duke përfshirë edhe të drejtat që u përkasin pakicave”.   

     Megjithatë, edhe pas pushimit të konflikteve të armatosura në territoret e ish-Jugosllavisë, duke iu referuar informacioneve të pasqyruara në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe në ato të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) përgjatë periudhës 2001 – 2010, janë vërejtur në vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillime që kanë nxitur vepra penale raciste. Të tilla mund të përmenden trazirat e shkaktuara nga demonstratat e vitit 2004 në Kosovë, shpallja e pavarësisë së Kosovës, që kururorëzoi përpjekjet e popullsisë shqiptare të saj për të qenë sovrane në trevat e veta, lufta politike – civile e shqiptarëve në Maqedoni në vitin 2002 etj. Ndërsa, feja dhe përkatësia etnike në pesë vende të këtij rajoni, përjashto Shqipërinë, kanë qenë ngushtësisht të ndërthurura, aq sa është e vështirë të ndahen aktet diskriminuese nga njëri karakter në tjetrin.

Në Serbi, respektimi i të drejtave të njeriut shënoi vërtet përmirësim të ndjeshëm mbas largimit të Millosheviçit, por akte të dhunshme përsëri u shënuan ndaj pakicave etnike dhe fetare. Më 12 Mars 2003, një grup paraushtarakësh nacionaliste dhe kriminelë të organizuar vranë kryeministrin Zoran Gjingjiç; në Mars të vitit 2004 ka ndodhur një numër jo i paktë incidentesh të dhunës shoqërore dhe diskriminimit kundër pakicave etnike, si edhe sulme ndaj pronës së boshnjakëve dhe shqiptarëve në kundërpërgjigje të akteve antiserbe në Kosovë. Pas fitores së Partisë Radikale Serbe pësoi rritje edhe numri i incidenteve ndaj pakicave në krahinën veriore të Vojvodinës, çka detyroi Parlamentin Evropian të miratonte në Tetor 2005 një rezolutë për shkeljen e të drejtave të pakicave atje, duke vënë në dukje aktet vandale dhe abuzimet fizike ndaj hungarezëve etnikë.

Gjithashtu, në këto incidente kanë qenë të prekura pronat e komuniteteve fetare dhe objektet e kultit, përkatësisht të fesë hebrehe, të asaj Hane Krishna, katolike, islame, luteriane, të Dëshmitarëve të Jehovait etj. Madje, më 2007 Komuniteti Islamik u përça konsiderueshëm në dy linja politike, të cilat në disa raste kanë shkaktuar përleshje me shkëmbime zjarri. Dhe, në shumë raste kanë qenë pikërisht të miturit autorë të veprave penale me karakter etnik, racist dhe fetar.

Pa vijuar me plot episode kritike, ngjarje të dhimbshme dhe vepra tronditëse, nuk mund të mos thuhet se rrethanat që i kanë nxitur ato vlerësohet që kanë qenë të lidhura edhe me procedura ndalimi dhe hetimi në kundërshtim me nenet 5 dhe 6 të KEDNJ, mungesa në legjislacionin penal e një dispozite specifike që të dënojë gjuhën e urrejtjes; përdorimi i kësaj gjuhe dhe intoleranca nga vetë politikanët; ekzistenca në shoqëri e stereotipeve negative ndaj etnive dhe feve të caktuara; përdorimi nga forcat poltike i konflikteve etnike, si mjet propagandistik për të fituar elektoratin, veçanërisht në pragje zgjedhjesh; kundërpërgjigjet ndaj incidenteve të ndodhura brenda dhe jashtë kufirit; frika e viktimave të veprave penale kryesisht raciste për të denoncuar kryerjen e atyre veprave në organet shtetërore përkatëse; mungesa e efikasitetit të organeve të drejtësisë penale dhe përhapja ndër ‘to e korrupsionit.

Përveç problematikës së përgjithshme, organet e sistemit të drejtësisë penale kanë paraqitur, gjithashtu, edhe probleme të veçanta që lidhen specifikisht me hetimin, procedimin dhe dënimin e këtyre lloj veprash penale, si anashkalimi ose suprimimi i motiveve raciale, duke shkaktuar kualifikim jo të drejtë të veprave të tilla dhe në disa raste - minimizim të rëndësisë të tyre, me atribuimin që u lihet të dehurve dhe të rinjve, apo ndonjëherë edhe vetë viktimën. Ndërkohë, duke qënë që veprat penale raciste kryhen për motive të caktuara, të cilat karakterizojnë grup të gjerë personash, impakti i tyre është shtrirë përtej viktimave të drejtpërdrejta dhe ka ndikuar te familjarët, miqtë dhe te përmasa të gjera të komunitetit.

Kur shteti serb, nëpërmjet organeve të sistemit të drejtësisë penale ka dështuar t’u përgjigjet efektivisht këtyre veprave, viktimat potenciale me gjasë kanë humbur besimin te ato organe dhe janë dekurajuar për të raportuar incidente raciste të tjera që mund të ndodhnin në të ardhmen, duke përjetuar ndjenjat e frikës, ankthit dhe të pasigurisë. Ka qenë dhe mbetet kjo përgjigje jo efektive ndaj veprave penale raciste, që ka përçuar te autorët e tyre edhe mesazhin e gabuar, sipas të cilit, veprime të tilla nuk do të ndëshkohen.

Dhe, vetëm pas pak vitesh ndodhi ajo që ndodhi në Stadiumin ‘Partizani’ të Beogradit, ku tifozët serbë zbritën në fushë dhe bashkë me forca private të sigurisë atje nisën të dhunojnë lojtarët e kombëtares shqiptare të futbollit. Ndërsa, efektivët e policisë së shtetit fqinj jo vetëm që nuk ndërhynë aspak, por edhe nuk morrën mundimin të pengonin bashkëatdhetarë të tyre huliganë që të parakalonin “triumfalisht” dhe me gjestet e tyre të nxisnin vazhdimin e korit racist: “Ubi, ubi shiptari!” Ndërkohë që Shqipëria, e cila sipas informacioneve të paanshme - referuar raporteve të sipërcituara - asnjëherë nuk ka spikatur me kryerje të veprave raciste, gjithashtu ka ruajtur një harmoni fetare të admirueshme, që u vlerësua maksimalisht edhe nga Papa Françesku me vizitën e tij këtu veçse tre javë përpara asaj ngjarjeje indinjuese në Serbi.

Në këto kushte, sidomos me zhvillimet politike të kohëve të fundit, kur pas rotacionit të pushtetit në Shqipëri iu dha kësaj statusi i shtetit kandidat për në BE, duke u konsideruar edhe si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, plotësisht të drejtë ka që të kërkojë nga fqinjët e vet, posaçërisht nga Serbia, përmbushjen e detyrimeve në rrugëtimin e integrimit. Duke bërë, veç të tjerash, thirrjen “Jo racizmit!” Ajo i tregon apo i kujton Serbisë edhe vlerat e përbashkëta për shtetet aspirante të Unionit Evropian në një shoqëri që karakterizohet nga pluralizmi, nga mosdiskriminimi, nga toleranca, nga drejtësia, nga barazia, nga solidariteti.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)