Gjykata Kushtetuese e ka marrë në shqyrtim edhe një herë çështjen e Arben Frrokut pasi kështu kishte vendosur GJEDNJ.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kishte vendosur që të rihapet dosja e Arben Frrokut, i cili është dënuar përjetë për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 25 shkurt në vitin 2013. Strasburgu vlerësoi se procesi ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Pas këtij vendimi, dje Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë prishi një vendim të sajin në vitin 2018 dhe i shqyrtoi dhe njëherë pretendimet e Frrokut për rrëzim të vendimit të Apelit dhe Gjykatës së Lartë që e kishin dënuar me burgim të përjetshëm.
Pasi i shqyrtoi edhe një herë pretendimet, Gjykata Kushtetuese vendosi përfundimisht rrëzimin e kërkesave të Frrokut dhe lënien në fuqi të vendimeve, duke konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm.
Komente










