/ATSH-AFP/ - Evropa dhe drejtuesit e saj presin përfundimin e referendumit në Greqi me pasoja për të ardhmen e kontinentit.

"Votim vendimtar i grekeve", titullon artikullin e saj gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine SonntagsZeitung", "Evropa në ankth" (Corriere della Sera), "Greqia vendos për të ardhmen e euros dhe BE-së" (El Pais), vemendja e të gjithë kontinentit është përqendruar në referendumin që po zhvillohet në Greqi.

Ky votim, që duhet të mbështesë apo sanksionojë refuzimin e qeverisë greke për t'iu nënshtruar kërkesave të kreditorëve, do të vendosë për trajektoren në të ardhmen të integrimit evropian", analizon për AFP-në, Pawel Tokarski, analist i Fondacionit të Shkencave dhe Politikës (SWP) në Berlin.

Një trajektore që, pavarësisht qetësisë së shfaqur, shpjegon frikën e zyrtarëve evropianë në fazën e parë të diskutimeve me Athinën.

"Një dalje e Greqisë nga unioni monetar do të nënshkruante dështimin e menaxhimit të krizës nxitur që prej disa vitesh nga kancelarja gjermane. Ajo nuk dëshiron të thotë se ka shtyrë Greqinë jashtë euros dhe ka dobësuar mbarë Evropën", theksoi Julian Rappold, studiues në Institutin gjerman për politikën e huaj.

Dhe nëse këto pasoja ekonomike mund të ishin menaxhuar , një "Grexit" do të ishte një sinjal shkatërrues për partnerët e BE-së", theksoi sot ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank-Walter Steinmeier

Ndërkohë, shefi i "Bundesbank"-ut, Jens Weidmann, ka paralajmëruar kabinetin e drejtuar nga Angela Merkel se një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona do të shkaktonte një "vrimë" me vlerë miliarda euroshe në buxhetin e Gjermanisë.

Kryeministri italian, Matteo Renzi theksoi sot se kushdoqoftë përfundimi i votimit, që prej ditës së nesërme duhet të rikthehemi në bisedime.
"E para që e di këtë është Angela Merkel", shtoi ai.
"Evropianët nuk do t'i lënë grekët të bien edhe nëse referendumi përfundon me një "jo" dhe do t'i japin menjëherë Athinës kredi emergjente", deklaroi presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz./
/ec/