Ministri i Brendshëm Taulant Balla u ka kërkuar drejtuesve të lartë të policisë dhe atyre lokalë të shtyjnë marrjen e lejes së zakonshme pas muajit gusht.

Përmes një njoftimi të ministrisë së Brendshme informohet se vendimi është marrë për të rritur masat për sigurinë dhe rendin gjatë kësaj kohe që karakterizohet edhe nga një fluks i madh puristësh dhe pushuesish.

“Nisur nga fluksi i madh i pushuesëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij sezoni turistik, Ministri i Brendshëm Taulant Balla u ka kërkuar drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit të shtyjnë marrjen e lejes së zakonshme pas muajit gusht” informoi sot ministria e Brendshme

Ministri ka kërkuar angazhim të strukturave të rendit në zonat me fluks të lartë frekuentimi.

Një tjetër kërkesë është edhe ajo për angazhimin e strukturave të policisë kufitare në menaxhimin e fluksit të hyrje-daljeve, shmangien e radhëve dhe identifikimin e rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit.