Elona Bregu, mesditën e kësaj të enjteje u ngjit në kullën e oksigjenit të ish-Uzinës në Kuçovë duke kërcënuar se do të hidhej.
Poshtë shtyllës, dy kolege të saj, që ndajnë të njëjtin shqetësim. Prej dy muajsh ato nuk paguhen nga kompania private e pastrimit “Viola Green”, e kontraktuar nga bashkia e Kuçovës për pastrimin e qytetit.
Zëri i tyre nuk ishte dëgjuar nga bashkia, ku po këtë të enjte i kërkuan pagat. Por sipas 40-vjeçares kjo protestë, i solli largimin nga puna.
Kështu rrëfeu vetë nëna e dy fëmijëve, pasi me negociata dhe ndërhyrjen e policisë, u bind të zbresë nga kulla.
“Sot na hoqën nga puna. S’është hera e parë që e bëj, është hera e tretë. Ne na hoqi nga puna ai dhe hipëm lartë. Atje vetëm te kulla mund ta zgjidhësh. 380 mijë lekë. Kaq të ardhura kemi. Me një burrë të sëmurë. Pse duhet të më heqë nga puna? Asgjë s’bëra. Më hoqën nga puna se kërkova rrogën në bashki. Rrogën na e hedhin një herë në dy muaj e gjysmë”, u shpreh ajo.
Videon e ka shpërndarë në rrjetet sociale Lefter Maliqi, ndërsa nuk i kursen akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë se Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
“Kryetari i Bashkisë, i paafti, i dënuari, abuzuesi nën hetim nga “SPAK i ka dhene mbi 1 miliardë e 700 Milion tender korruptiv kompanisë “Viola Green dhe sot i kanë pushuar nga puna sepse kërkojnë pagat dhe të drejtat e tyre. “SPAK” ende hesht, pasi për “Viola Green” dhe Hajdarin ka kallëzim në “SPAK”, shkroi Maliqi, në rrjetet sociale.
Në nëntor 2024, SPAK goditi një organizatë kriminale ku mes të arrestuarve ishte dhe Marsel alias Bujar Shega, i cili është një prej tre aksionerëve të kompanisë “Viola Green”.
Kompania e tij ka fituar tenderë për pastrimin e disa qyteteve, në Kuçovë, Berat dhe Peqin, ndërsa nuk ka bërë asnjë reagim për punëtorët e pastrimit në Kuçovë që kanë mbetur pa paga.
40-vjeçarja Elona Bregu, punonjëse e një firme pastrimi në Kuçovë, e cila kërcënoi se do hidhej nga vinçi duke i dhënë fund jetës, tha se e kishin hequr nga puna, pasi kishte kërkuar rrogën e saj të cilët nuk e kishte marrë.
Bregu u shpreh se hipjen në vinç e pa si zgjidhjen e vetme për problemin që ka. Ajo shtoi se rrogën, 38 mijë lekë, e merrte një herë në dy muaj e gjysmë.
“Çfarë të bëjmë ne, ne na hoqi nga puna ai, ikëm lart. Atje do ta zgjidhësh vetëm te kulla, se në vend tjetër nuk e zgjidh zot. 38 mijë lekë, atë kam. Me një burrë të sëmurë, atë kam. Pse më hoqën nga puna, asgjë nuk bëra. Pse vajtëm kërkuam lekët në bashki, rrogën. Private është, gjysmë për gjysmë. Një herë në 2 muaj e gjysmë, 38 mijë lekë.", tha ajo.
Komente










