Redon Xhixha është dëshira e madhe e Tiranës në merkaton e janarit. Sulmuesi 27-vjeçar shihet si një përforcim tejet cilësor me qëllim për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, pasi Tirana, klubi më i titulluar në Shqipëri, renditet e fundit dhe rrezikon më të keqen.

Deri më tani drejtuesit kanë bërë revolucion, pasi janë larguar 10 futbollistë me të cilët kanë nisur sezonin, ndërsa tani vëmendja është te afrimet. Report TV mëson nga burime brenda klubit se i është bërë një ofertë Xhixhës, i cili aktualisht luan në Algjeri, ndërsa në periudhën kur ishte te Tirana kishte një mesatare të frikshme golash. Në 55 ndeshje ai realizoi 32 gola, statistika që entuziazmojnë tifozët bardheblu për të shpëtuar një sezon që nisi me makthe.

Report TV kontaktoi edhe me vetë futbollistin, i cili konfirmoi ofertën nga Tirana. Megjithatë ende ‘s’ka tym të bardhë’ mes palëve. Xhixha u shpreh se ‘është duke e shqyrtuar’ ofertën e bardhebluve për t’u rikthyer në kryeqytet.

Në pritje të Redon Xhixhës Tirana ka zyrtarizuar dy afrime, të cilët vijnë nga Kosta Rika. Freddy Antonio Álvarez Rodríguez vjen për të përforcuar mesfushën në fazën ofensive, ndërsa Johan Enrique Cortes Alfaro është përzgjedhur për mbrojtjen. Ndërkohë në stërvitje me Tiranën kanë dalë ish-sulmuesi Emanuel Ernest si dhe portieri Klajdi Kola, të cilët pritet të zyrtarizohen nga ora në orë. 

Tiaran e vendit të fundit pas 18 javësh kampionat ka grumbulluar vetëm 10 pikë, 4 më pak se Flamurtari i vendit të 9 dhe 8 më pak se Bylisi i vendit të tetë. Sfida e ardhshme, më 14 janar, është pikërisht ndaj një kundërshtari për mbijetesë siç është Bylisi. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Ballshit.