FIFA dhe presidenti i saj, Gianni Infantino, kanë arsye të forta për optimizëm, teksa numërohen muajt e fundit para fillimit të Kampionatit Botëror 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Qeveria e futbollit botëror ka konfirmuar se deri më tani janë regjistruar mbi 500 milionë kërkesa për bileta, një shifër rekord që tregon interesin e jashtëzakonshëm për këtë edicion të Botërorit. Presidenti i FIFA-s nuk e fshehu entuziazmin, duke reaguar në rrjetet sociale.

“Lajmi i fundit! E pabesueshme, 500 milionë kërkesa për bileta për Botërorin 2026. Faleminderit të gjithëve!”, shkroi Infantino në një postim në Instagram.

Përveç vendeve organizatore, kërkesat më të mëdha për bileta vijnë nga Gjermania, Anglia dhe Brazili. Pas kritikave të shumta lidhur me çmimet e larta, FIFA njoftoi se një pjesë e biletave do të ofrohen me çmim prej 60 dollarësh, të cilat do të jenë të disponueshme përmes federatave kombëtare të futbollit.

Sipas të dhënave zyrtare, ndeshja që ka ngjallur interesin më të madh në fazën e fundit të shitjes së biletave është ajo mes Kolumbisë dhe Portugalisë, e planifikuar të luhet më 27 qershor në Miami.

FIFA bëri të ditur se aplikantët për bileta do të njoftohen jo më herët se data 5 shkurt, kur do të zhvillohet shorti për shpërndarjen e biletave për ndeshjet me kërkesën më të lartë.

Pjesë e fazës finale të Botërorit 2026 mund të bëhet edhe Shqipëria, me kuqezinjtë që garojnë në fazën play-off. Më 26 mars tanët luajnë kundër Polonisë në Varshavë, ndërsa nëse kalojnë polakët, do përballen me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi.