Prej më shumë se dy vitesh, spitali është bërë shtëpia e tij. Durim Elmazi, një invalid që sapo ka përfituar pensionin, jeton prej majit 2024 në Spitalin e Përmetit, pasi familjarët e lanë në derën e këtij institucioni dhe u larguan. I amputuar në njërën këmbë si pasojë e gangrenës së shkaktuar nga diabeti, ai nuk ka as banesë dhe as njeri që ta strehojë.
Durimi është nga fshati Mokricë i Përmetit. Pas divorcit dhe viteve të emigrimit në Greqi, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua deri në amputimin e këmbës. Në dhjetor të vitit 2023, të afërmit e sollën në Shqipëri për trajtim. Pasi qëndroi për disa javë në banesat e tyre, hyrje-daljet në spitalet e Përmetit dhe Gjirokastrës u bënë fillimi i një qëndrimi që do të zgjaste me muaj. Në fund, Durim Elmazi u vendos në një dhomë në katin e dytë të Spitalit të Përmetit, ku jeton i vetëm që prej majit të vitit 2024.
Në një rrëfim prekës për Report TV, Durimi tregon se është braktisur nga ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij, të cilat jetojnë me familjet e tyre në Greqi. Edhe pse nuk ka nevojë për shtrim spitalor, ai vazhdon të qëndrojë aty, sepse spitali është e vetmja çati që ka mbi kokë.
"Unë s’vete në shtëpi se s’kam njeri në shtëpi. S’kam as shpi as njeri. Me nusen u ndava. Kam 2 fëmijë, i kam të martuar në Greqi. E dinë që ndodhem këtu në spital. Nuk më marin dot. Unë nuk dua të rri në kat të tretë”, tha ai.
Kryeinfermierja e Spitalit të Përmetit, shprehet se Durimit nuk i ka munguar asnjë përkujdesje qoftë kjo në barna, higjenë dhe me ushqim.
“Durimi ka 2 vjet e gjysmë që ka ardhur këtu., Ka pasur probleme me këmbën. Familjarët e kanë lënë tek dera e spitalit. Është shtruar në pavion, është trajtuar dhe më pas ka ngelur se nuk e merrte asnjeri”, tha Antoneta Gaqo kryeinfermiere e Spitalit të Përmetit.
Lidhur me këtë rast shumë të rrallë ku Spitali është shndërruar në vend bujtje për një të sëmurë, Report TV është interesuar në Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga kjo ministri sqarohet se Durim Elmazi, ndodhet në Spitalin e Përmetit prej 27 majit 2024 në kujdesin e strukturave shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe në kushtet e një situate të vështirë sociale dhe familjare.
Gjatë kësaj periudhe, pacientit i është ofruar në vazhdimësi trajtim mjekësor, kujdes infermieror, asistencë për higjienën personale dhe mbështetje gjatë lëvizjes në ambientet e spitalit. Paralelisht, janë angazhuar strukturat sociale vendore dhe rajonale për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.
Në bashkëpunim me Bashkinë Përmet janë siguruar ndihmë ekonomike, mbështetje ushqimore dhe pagesa e kontributeve të nevojshme për pensionin.
Më 11 gusht 2026 është kryer edhe aplikimi për lidhjen e pensionit. Rasti i Durim Elmazit sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është kompleks shëndetësor e social, i cili kërkon bashkërendim të vazhdueshëm mes strukturave shëndetësore, shërbimeve sociale dhe pushtetit vendor. Kjo është drama e një burri të mbetur i vetëm, baba i dy fëmijëve, që thotë se prej vitesh nuk kanë kthyer më kokën nga ai dhe nuk i kanë ofruar as një strehë ku të kalojë vitet e mbetura të jetës.
-
Ka qenë burrë i keq, pijanec.
Përgjigju












Komente
Komento