Populli që ngriti në piedestal presidentin Donald Trump, i njëjti popull, në votimet e mesmandatit, e rrëzoi duke sjellë të ashtuquajturin “cunami blu” në favor të demokratëve amerikanë, duke rikonfirmuar se me të gjitha joshjet, premtimet, iluzionet, shkëlqimin, Demokracia është një organizëm i gjallë, aktiv, mbresëlënës.
Atje ku lindi, në Athinën e lashtë, atje edhe u kritikua duke ja nxjerrë në pah defektet. Jo sot, por mbi 2000 vite më parë Aristoteli dhe Platoni, ndërsa përpunonin dhe vlerësonin forma të tjera të udhëheqjes, si Aristokracia etj, e konsideronin Demokracinë si “qeverisjen e injorancës”. Sipas tyre pushteti duhet të jetë në dorë të kujt është i mbrujtur me dituri dhe kompetencë (qeverisja e filozofëve për shembull) dhe jo e masës. Demokracia iu beson vendimet të gjithëve pa dallim, pa dashur një përgatitje të veçantë apo kompetenca për të mirën e përbashkët. Platoni në Republikën e tij shkruan se “në Demokraci fiton jo kush ka të drejtë apo është i mençur, por kush di të flasë bukur”. “Politikanët – thonte ai, - ose demagogët, e bindin popullin me mashtrime, emocione dhe lëvdata për të marrë vota duke ndjekur më pas interesa personale dhe jo Drejtësinë”. Nuk e kishte aspak gabim.
Si të shihte se ç’po ndodh sot në Botë, Platoni mendonte se në Demokraci ka një tepërim të lirisë deri në anarki. Ai e përshkruan atë si një regjim kaotik ku liria shpesh ngatërrohet me të drejtën për të mos respektuar rregullat. “Secili vepron me kokën e tij”, ankohej ai, dhe kjo e çon shoqërinë në humbjen e autoritetit moral dhe hierarkik (prindër-fëmijë, mësues-nxënës, qeveritarë-qytetarë). Janë të tijat parashikimet te Republika se “Demokracia mund të degjenerojë në tirani”; Timokraci-oligarki-demokraci-tirani… I konsideronte si evolucione të natyrës njerëzore dhe se ekzagjerimi i anarkisë dhe i protestave në demokraci bën që të lindë në popull nevoja e dëshpëruar për rregulla dhe disiplinë, duke ja lehtësuar rrugën për në pushtet një tirani që prezantohet si “shpëtimtari” i popullit.
E megjithatë, mbi 2000 vite pas Platonit, njerëzimi nuk diti të shpikte diçka më të mirë: Mbretër e aristokratë treguan se ditën të mblidhnin vetëm për vetë toka, dije, luks e pasuri. Feudalët gjithashtu. Komunizmin e provoi gjysma Lindore e Europës dhe ne të përfshirë në të, për fat të mirë e të keq, provuam në kurriz se sa e gënjështërt ishte “diktatura e proletariatit”, që u përkthye si diktaturë për proletariatin e privilegj për udhëheqjen komuniste.
Prandaj, siç po e tregon që pas Luftës së Dytë Botërore, Demokracia, e adhuruar nga Churchill dhe Roosvelt, mbetet e vetmja formë më e mirë organizimi e shtetformimi, pasi përpiqet të respektojë liritë themelore, ato më të rëndësishmet që e bëjnë të ndjehet Njeriun, Njeri.







Komente
Komento